Problemet për manjatin rus të Chelsea, Roman Abramovich nuk kanë fund. Tashmë ai akuzohet se është “i lidhur ngushtë me krimin” dhe këtë raport e kanë nxjerrë zviceranët. Rreth dy vite më parë miliarderit rus i është mohuar e drejta për të ndërtuar një rezidencë në fshatin alpin të Verbier. Ai ka vazhduar një betejë ligjore me autoritetet zvicerane dhe pas një gjyqi që ka zgjatur rreth 7 muaj janë bërë të ditura disa detaje. E përditshmja britanike “The Guardian” zbardh raportin e policisë së Zyrihut për rusin që ka në pronësi klubin e Chelsea-t.
Një raport i gjatë dhe i ngjeshur me shumë materiale, ku pasqyrohet ana e errët e sportit dhe lidhjet e krerëve me krimin dhe mafien. Pas disa sfidash me autoritet angleze dhe zvicerane, Abramovich dyshohet të jetë “i implikuar në një rrjet gjigant për pastrim parash dhe raporte të ngushta më rrjete të krimit të organizuar”, nga ku gjenerohen një pjesë e madhe e të ardhurave dhe pasurisë së tij, që vlerësohet në shifrën e frikshme 11.8 miliardë dollarë.
Këto akuza nuk janë bërë akoma publike dhe nuk ka një urdhër gjykate për të nisur ndonjë hetim ndaj tij. Por duket se kaq ka mjaftuar që ti refuzohet rezidenca oligarkut rus që disponon edhe nënshtetësi izraelite në Zvicër. Abramovich ka angazhuar menjëherë avokatët e tij për të replikuar në këtë mënyrë ndaj të gjitha akuzave të aluduara:
“Çdo skenar, sipas të cilit Abramovich është i përfshirë në pastrim parash apo krim të organizuar, është fals dhe mashtrim publik. Roman Abramovich nuk është akuzuar kurrë për asnjë nga këto krime dhe nuk ka asnjë precedent penal.”
Gjatë orëve të fundit është përfolur se blutë e Londrës do të ndërrojnë pronësi, pasi Abramovich ka vendosur që të shesë për 3.3 miliardë euro klubin e Chelsea-t. Pronarët e rinj mendohet të jenë grupi amerikan i biznesit “Raine Group”. Pritet ende konfirmimi, por kjo lëvizje vërteton se Abramovich aktualisht nuk është në një pozicion mjaft komod dhe se presioni i autoriteteve zvicerane ka nisur të ndihet.