Shtatë anëtarë të një grupi të krimit të organizuar të cilët u përpoqën të përdorin anije të vogla dhe “Jet Ski”, për të kontrabanduar emigrantë shqiptarë nëpërmjet kanalit anglez janë burgosur në total me 48- vjet dhe tre muaj, raporton dailyecho.co.uk.
Të gjithë burrat u shpallën fajtorë në gusht pas një gjyqi nëntë javësh në Old Bailey. Një hetim i gjatë mbi aktivitetin e grupit, të udhëhequr nga Agjencia Kombëtare e Krimit, ku zbuloi se dy grupe të veçanta kriminale punonin së bashku, pra njëri ishte grupi shqiptar e tjetri ishte grup nga Kenti.
Hetimet kishin nisur që në maj të vitit 2016, pasi në Dymchurch, ishte gjetur një anije e braktisur dhe pranë saj kishte jelekë shpëtimi, dhe nga kontrolli i sistemit u zbulua se anija kishte kaluar nëpër Kanalin Anglez.
Më pas policia ka zbuluar grupin i cili udhëhiqej nga shqiptarët Artur Nutaj dhe Saba Dulaj, të cilët kishin marrë rolin e “agjentëve të udhëtimit” që organizonin kalimin e shqiptarëve nga bregu verior i Francës për në Britani.
Shqiptarët, kishin bashkëpunuar me një grup tjetër nga Kenti në Angli, të udhëhequr nga familja Powell – babai Leonard dhe djemtë Xhorxh dhe Alfie, të cilët siguronin pajisjet e transportit për të lëvizur emigrantët.
Grupi në Kent, kishte blerë një numër anijesh të shpejta, të cilat u përdorën për kontrabandimin e emigrantëve shqiptarë.
Por, më 28 maj 2016, një anije e drejtuar nga kontrabandistët kishte hasur vështirësi, dhe kishte alarmuar Forcat Kufitare, RNLI dhe Agjencia Detare dhe Rojtare.
Më vonë grupi bleu një “jet ski”, me qëllim që ta përdorte atë për të lëvizur emigrantët. Ky ishte dhe momenti kur NCA-ja ndërhyri për arrestimin e personave përgjegjës.
Së paku 18 emigrantë shqiptarë u transportuan në Kent në vitin 2016, duke përdorur anije, ne të cilat hipnin më shumë se 6 persona, sepse kaq ishte kapaciteti i tyre.
Të premten, gjykatësi Mark Dennis dënoi babanë dhe djalin Leonard Powell dhe George Powell si “organizatorët dhe figurat kontrolluese” të komplotit.
Leonard Powell, 66 vjeç, nga Dartford, u gjet fajtor pas gjykimit në gusht, ndërsa djali George Powell, 42 vjeç, nga Farningham në Kent, u deklarua fajtor për të njëjtën vepër në maj.
Leonard Poëell u dënua me nëntë vjet burgim dhe djali i tij George Powell me gjashtë vjet e nëntë muaj burgim, gjatë një seance në Bailey.
Alfie, djali tjetër i Powell, 39 vjeç, pa adresë të caktuar, thuhej se kishte mbajtur një rol joorganizues dhe mori një dënim gjashtëvjeçar.
Atyre u janë bashkuar në bankën e të akuzuarve edhe shqiptarët Sabah Dulaj, 24 vjeç dhe Artur Nutaj, 39 vjeç , që thuhet se jena “figura kryesore” në komplot, të cilët siguruan lidhjen ndërmjet kontrabandistëve dhe emigrantëve në Evropë. Dulaj, u dënua me 7 -vjet burg, ndërsa Nutaj me shtatë vjet e gjysmë.
Bashkë-komplotistët Wayne Bath, 39 vjeç, nga Sheerness, Kent dhe Albert Letchford, 42 vjeç, nga Dartford, morën gjashtë vjet për rolet e tyre në komplot.
Gjykata dëgjoi se emigrantët, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijët, paguanin deri në 5,500 dollarë secili për të udhëtuar nëpër Kanalin Anglez.
Për kontrabandimin e 18 personave ata do të kishin fituar një shumë prej 99,000 paund. “Është e qartë, një treg shumë fitimprurës”, tha të premten prokurori Timothy Probert-Wood QC./TIRANA TODAY/