Familjet e etnive të ndryshme – serbë, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë – që jetojnë pranë njëri-tjetrit në fshatrat që përjetuan masakrat e luftrave në Ballkan gjatë viteve ’90-të, ende nuk kanë raporte të drejtpërdrejta dhe nuk marrin pjesë në aktivitetet sociale të njëri-tjetrit.
Në Ahmiçi, një prej fshatrave piktoreskë në Luginën Lasva, ku kroatët u përpoqën të dëbonin boshnjakët myslimanë në vitin 1993, popullsia njihet si boshnjiake. Rreth 120 persona u masakruan. Fëmijët boshnjakë dhe kroatë shkojnë tashmë në shkolla të ndara. Huso Ahmici, tashmë 72 vjeçar, humbi prindërit gjatë sulmit që iu bë fshatit. Ai u tha gazetarëve të Zërit të Amerikës, se i duket “sikur të kishte ndodhur dje”.
Kaluam një mëngjes së bashku me Huson dhe bashkëshorten e tij në kopshtin ku ai luante kur ishte fëmijë. Shtëpia e prindërve të tij u shkatërrua plotësisht gjatë sulmit të vitit 1993, dhe flakët u morën jetën prindërve të Husos. Ai e rindërtoi shtëpinë, e cila tashmë shërben si shtëpi dhe si varr.
Vetëm dy minuta larg ndodhet shtëpia e një prej komandantëve kroatë të dënuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Pasi u lirua nga burgu, ai tashmë jeton kryesisht në kryeqytetin kroat, Zagreb, por ndonjëherë shfaqet edhe në fshatin Ahmiçi, ku boshnjakët vendas nuk i flasin. Megjithatë, ata u thonë “mirëmëngjesi” me zë të lartë të 55-së kroatëve të tjerë që jetojnë në këtë fshat.
“Është mënyra jonë për t’i ndëshkuar”, thotë zoti Huso.
Ndërsa bisedonim duke kundruar Luginën paqësore Lasva, ishte e vështirë të parafytyroje masakrat që ndodhën këtu më 16 prill 1993. Sipas një plani të hartuar me kujdes, fshati u sulmua nga tre anë dhe u la i lirë vetëm një shteg, përgjatë të cilit ishin vendosur snajperë të pozicionuar mirë.
Aty ku dikur luante Huso, tashmë luan i shkujdesur nipi i tij që ndjek nga pas macet e shumta dhe na thotë se është superheroi “Sonic Boy”, megjithëse ka veshur një bluzë të “Ninja Turtle”.
Bluzat janë shndërruar gjithashtu në trendin më të fundit për një brez të ri ultra-nacionalistësh në Balkan për të shprehur përçmimin ndaj grupeve rivale etnike. Sipas Balkan Insight, në qytetin kroat Split gjendet një dyqan me emrin “Patriot Hrvatska” ku shiten bluza me motive nacionaliste dhe fashiste që shmangin kufizimet e gjera ligjore kundër urrejtjes.
Mes mallrave gjenden bluza për fitoren e lëvizjes fashiste
“Ustasa” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një bluzë ka një gërmë “U” të bashkuar me trajtën e një buzëqeshjeje. Bluza të tjera përdorin motive të kamufluara të “Forcave Mbrojtëse Kroate”, një njësi paraushtarake e viteve ’90-të që mori si frymëzim shembullin e mizorive të njësive “Ustasa”.
Edhe në Serbi mund të blesh bluza ofenduese, si p.sh. bluza me foton e Radovan Karaxhiçit që u dënua nga Gjykata e Hagës me 40 vite burg për genocid dhe krime të tjera lufte. Ai po e apelon dënimin.
Legjislacioni serb ndalon propagandimin apo justifikimin e ideve apo veprimeve të krimeve të luftës të individëve të dënuar për këtë. Por, ligji nuk zbatohet. Kjo nuk është befasuese ndërsa vetë Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e lavdëron udhëheqësin serb të kohës së luftës Sllobodan Millosheviçin, duke e quajtur një “udhëheqës i madh”.
Historia është një fushëbetejë, ndoshta jo aq e përgjakshme sa ç’ishte realiteti, por me pasoja që mund të bëhen të tilla.
Rajoni i Ballkanit ka përjetuar revizionizëm të historisë. Udhëheqësi i Kroacisë gjatë luftës, Franjo Tudjman, iu kushtua me dekada të tëra hulumtimeve historike, pas daljes në pension në vitin 1961 si oficer i ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Ai u përqëndrua në veçanti tek akuzat e mirëdokumentuara se regjimi kroat “Ustasa”, i mbështetur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kreu krime të mëdha lufte ndaj serbëve dhe të tjerëve. Zoti Tudjman tha se ishin ekzagjerime të komunistëve.
Për zotin Tudjman, kroatët nuk mund të kryenin krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore apo luftërave në Ballkan të viteve ’90-të gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, pasi ata ishin të angazhuar në një ndërmarrje të lavdishme. “Burrat kroatë që çlironin vendin e tyre nga e keqja, nuk mund të mbahen përgjegjës”, u shpreh ai. Pra, për të, krimet e luftës mund të kryheshin vetëm nga serbët.
Por, le t’i rikthehemi kohës së tanishme. Javën e kaluar, udhëheqësi kryesor opozitar serb Vojislav Sheshelj na tha se po shkruan një vepër monumentale me tre vëllime, ku provohet se masakra e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë boshnjakë, kryesisht burra dhe djem, nuk ishte një akt genocidi i serbëve.
Masakra ishte vepër e njësive serbe të Ushtrisë së Republika Srpska, të komanduar nga Ratko Mladiç, si dhe e një njësie paraushtarake nga Serbia, të njohur si “Akrepat”. Zoti Mladiç na tha se “Nuk ishte genocid pasi ata i lanë gratë të iknin”. Ai pati pak më vonë mirësjelljen të pranojë me zë të ulët se “ishte një krim lufte”. Ndoshta zoti Sheshelj, i cili mallkonte gjykatësit në Hagë, po zbutet. Ai u gjet fajtor nga gjykata e OKB-së për krime ndaj njerëzimit për nxitjen e deportimit të kroatëve nga fshati Hrtkovci, në maj të vitit 1992.
Shumë prej të rinjve të arsimuar të klasës së mesme preferojnë të mos mendojnë më për këtë konflikt, duke e trajtuar si pjesë e historisë së lashtë. Ata i kanë kthyer sytë nga e ardhmja, të cilën e parafytyrojnë pothuajse ekskluzivisht me Bashkimin Evropian, pjesë e të cilit dëshirojnë të bëhen.
Këtë shpresë e ka madje edhe nacionalisti ekstrem dhe pro-rus, Presidenti i Bosnja Serbia, e njohur ndryshe si Republika Srpska. Ai megjithatë vazhdon edhe të flirtojë me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Steve Bannon, i cili ka nisur një projekt të ri, të quajtur “Lëvizja”, me synimin për të ndihmuar nacionalistët e djathtë populistë në mbarë kontinentin evropian. “Bannon është i vetmi person që nuk na duhet në këtë moment në Ballkan”, shprehet një diplomat evropian që punon në Beograd.
Nëse do të bëhen pjesë e zgjerimit dhe nëse Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia do të anëtarësohen ndonjëherë në BE, mbetet një tjetër pikëpyetje. Në muajin maj, Presidenti francez Emmanuel Macron frenoi procesin, duke paralajmëruar se BE-ja është rënduar nga çështje të tjera dhe se zgjerimi ka krijuar rreziqe në të kaluarën. Ai tha se përfshirja e vendeve të Ballkanit do të duhet të shqyrtohet me “shumë kujdes dhe rigorozitet”. BE-ja ka shtyrë bisedimet zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë.
Të rinjtë po “votojnë” tashmë duke marrë viza ku të munden. Sipas shifrave të OKB-së, Bosnja ka përqindjen më të lartë në Evropë të popullsisë që largohet në emigracion. Vendet fqinje po përjetojnë gjithashtu largime masive; 10% e shkollave kroate janë boshatisur nga nxënësit.
Fëmijët e lindur pas luftës në familjet e klasës punëtore kanë më shumë gjasa të përqafojnë idetë nacionaliste dhe të veshin bluzat që lartësojnë komandantët etnikë të së shkuarës, ndoshta si një mënyrë për të gjetur një qëllim në jetët e tyre të tronditura nga mungesa e mundësive. Branislav Borenoviç, një politikan opozitar në Bosnjë Serbi, na druhet se të rinjtë kërkojnë “përgjigje të lehta” ndaj papunësisë që po vuajnë dhe se po manipulohen nga politikanë nacionalistë, të cilëve u intereson të ruajnë ndasitë dhe të fajësojnë për mungesën e progresit armiqtë e brendshëm dhe grupet e tjera etnike. “Njerëzit nuk ndjehen të sigurtë; kanë frikë dhe kjo nuk u pëlqen”, thotë ai.
Mëritë historike dhe zemërimi gëlojnë në mbarë Ballkanin. Peisazhi zor se mbart ende shenjat e konfliktit të egër që la pas mbi 133 mijë viktima. Qyteti boshnjak Mostar, i cili përjetoi luftime të ashpra gjatë viteve ’90-të, si dhe Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjës, janë ndër shembujt e rrallë që ende mbartin plagët e luftës. Shumë prej godinave të vjetra të Sarajevës mbeten ende të çpuara nga plumbat, ndërsa përkrah tyre ngrihen ndërtesa të reja zyrash të financuara nga investues të huaj.
Peisazhi dhe qytetet mund të duken si të pandikuara nga luftërat e viteve ’90-të, por njerëzit e brezit të luftës gjenden të ngërthyer mes kujtimeve të së shkuarës. Ata do të jenë përgjithnjë të plagosur. Histori të patreguara mbeten për t’u thënë, por mbahen ende të groposura për shkak të dhimbjes që sjell rrëfimi.
Kalojmë përmes qytetit Foça, në Republika Srpska, në brigjet e ujërave të pastra të Lumit Darin. Këtu, njësitë paraushtarake serbe patën krijuar një kamp përdhunimi, ku u dhunuan qindra gra boshnjake. Ndër to ishte edhe një grua, e cila u përdhunua në mënyrë të përsëritur nga një komandant paraushtarak. I vëllai i komandantit e ndihmoi gruan të arratisej.
Ata u takuan sërish shumë vite më pas, në sajë të këmbënguljes së gruas që dëshironte të falenderonte shpëtimtarin e saj. Asnjë prej tyre nuk do ta tregojë në publik historinë e tyre; burri, për shkak të frikës se do ta shikojnë si tradhtar; gruaja, për shkak se historia e saj është tepër dhimbshme për t’u rrëfyer.