Fiks Fare zbulon rrugën se si hyjnë në vendin tonë mish i pakontrolluar, por me matrikullim të rremë. Fiks fare tregon mënyrën sesi viçat kontrabandë e të pavaksinuar hyjnë nga Maqedonia në Shqipëri. Këto viça futen në pikat e kalimit kufitar me dokumente false. Bëhet fjalë për një skandal në tregun e bagëtive.
Tashmë viçat kontrabandë kalojnë me furgona dhe hyjnë kryesisht nga Prespa dhe shiten në Shqipëri si mish BIO.
Këto fakte u zbuluan në Fiks fare
Gazetarët e ” Fiks fare” udhëtuan për në Tetovë të Maqedonisë, ku kërkuan të gjenin formën se si tregtarët maqedonas të lidhur me shqiptarë, sillnin në vendin tonë kafshë të pakontrolluara.
Gjatë bisedës me dy tregtarët që drejtonin punën në tregun e gjësë të gjallë në Tetovë, mësuam sesi përgatiten dokumentet dhe matrikulat false për viçat që hyjnë nga Maqedonia të pavaksinuar.
Sipas njërit prej pronarëve të këtij tregu “Për futjen e bagëtive në mënyrë jo ligjore, kontrabandistët kanë zgjedhur t’i kalojnë nga Struga, dhe Prespa me furgona, pak nga pak.”
Ndërkohë që të siguron për dokumentet e çdo bagëtie që do marrësh rregullimin e tyre sipas procedurave që kërkohen dhe e gjitha kjo kundrejt pagesës prej 15 euro për çdo krekë bagëti.
“Unë kam 16 vite që merrem me këtë punë dhe punoj me Shqipërinë. Nëse e vendos të punosh me mua , çdo dokument i mbyll unë” , i drejtohet ai gazetarit të Fiks Fare.
Mënyra ishte e thjeshtë, në treg blihen viça të pa matrikulluar dhe tregtari maqedonas i matrikullon, i pajis me certifikatë nga veterineri dhe me anë të mashtrimit plotëson edhe dokumentet për doganë. “Me të gjitha këto s’ka kush të ndalon ty”, shprehet tregtari maqedonas gazetarit të Fiksit. “Çdo gjë hyn në sistem” vazhdon ai.
Gazetarët i kanë kërkuar tregtarit maqedonas që të kalojnë të paktën 20 viça, ku pesë prej tyre ishin të pamatrikulluar ,dhe pa raportin e veterinerit.
“Të thashë një herë për atë mos u mërzit, i bëj unë të gjitha punët. Unë të thashë çdo gjë që hyn tek unë edhe jo legale, del legale këtë ta dish dhe jam i vetmi në Maqedoni që e ushtroj këtë aktivitet me Shqipërinë.”, tregon tregtari i bagëtive në Tetovë, duke shtuar se ka marrëdhënie të tilla tregtie me të gjithë tregtarët shqiptarë të mishit.