Një 12-vjeçar nga Kukësi, shkon dhe ruan dhentë në Kosovë vetëm për 100 euro, në mënyrë që të sigurojë disa të ardhura për familjen e tij. Kjo është një nga ato historitë e rralla, por që për fat të keq, ende i gjejmë në çdo cep të Shqipërisë.
Një foto e shkrepur nga fotografi kosovar, Blerim Bytyçi, dëshmon se sa e ashpër është varfëria, e cila është ulur këmbëkryq, duke u marë fëmijërinë atij dhe shumë bashkëmoshtarëve të tij.
“Djaloshi në fotografi është vetëm 12-vjeç dhe gjendet i vetëm në bjeshkët më të thella në fshatin Restelicë, duke u kujdesur për një tufë dele.
Djaloshi me origjinë nga fshati Borje/Kukës, ai bën një pune këtej kufirit i vetëm dhe për vetëm 100€ në muaj, sigurisht për tu kujdesur për familjen e tij.
Realiteti i festimit: “Dita Botërore e të Rinjve” Shqipëri 2018”, shkruan ai bashkëngjitur fotos në fjalë.
Kushtet e vështira të jetesës, si rrjedhojë e varfërisë së tejskajshme, po largon gjithnjë e më shumë fëmijët shqiptarë nga bankat e shkollës, duke i bërë pjesë në tregun e punës.
Nuk janë të paktat familjet shqiptare, të cilat nga mungesa e të ardhurave, lejojnë fëmijët e tyre që të punojnë, ndonëse në moshë të vogël.
Ky është rasti tipik, ku një djalë i vogël nuk mendon për pushimet, pasi ajo kthehet në çështje luksi, por nxiton për të siguruar bukën e gojës, për familjen e tij.