Nuk janë të paktat rastet kur qytetarët janë ndjerë në rrezik nga ushqimet e skaduara, që i blejnë në supermarkete të ndryshme. Ushqimet e paketuara e që u fshihet data e skadencës, në shumë prej pikave të shitjeve shiten me gjysmën e çmimit.
Qytetarët të prirur për ti blerë më lirë, kanë vënë re se ushqimet kanë kaluar çdo afat, e për këtë ata madje edhe i kanë bërë publike në rrjetet sociale. Sa i takon mallrave të skaduara, mësohet se janë pezulluar dy inspektorë të AKU në Korçë. Dy inspektorë të AKU në Korçë janë pezulluar nga puna, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të AKU.
Klement Kodra dhe Daut Pepa, me detyrë inspektorë pranë AKU Korçë, janë pezulluar nga detyra një ditë pasi në një magazinë ushqimore në Korçë u sekuestruan 2 ton pije të skaduara dhe mallra të tjerë ushqimorë.
Sipas të dhënave nga burime brenda AKU, pezullimi i dy punonjësve ka ardhur pasi pak ditë më parë, ata kanë ushtruar kontroll tek subjekti “Argentili” dhe sipas raportit të paraqitur prej tyre, subjekti ka rezultuar në rregull. Vetëm pak ditë më vonë, një inspekim i drejtorisë së përgjithshme të AKU konstatoi disa shkelje nga ky subjekt, ndërkohë që mësohet se për dy punonjësit do të depozitohet padi penale nga drejtoria e përgjithshme.
Konsumatorët shqiptarë po ndjehen gjithmonë e më shumë të pasigurtë për ushqimet që konsumojnë. E mira është se ata janë ndërgjegjësuar më shumë, për të denoncuar rastet e konstatuara të ushqimeve të skaduara.