Gjykata e Tiranës ka caktuar dënimin për dy autorët e vjedhjes të një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut. Shtetasi Roland Liti është dënuar me 13 vite burg, ndërsa për Alan Babameton është caktuar dënimi 1 vit e 6 muaj, pasi akuzohet për ‘moskallëzim krimi’.
Banka e nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut u grabit mëngjesin e 8 gushtit 2016, ku autorët mundën të merrnin rreth 190 milion lekë të vjetra.
Alarmi i bankës kishte rënë të paktën tre herë në fundjavë, nga e premtja deri të dielën, por në asnjë rast, edhe pse ambientet e bankës janë kontrolluar, nuk është konstatuar vjedhja.
Dëshmitari tregoi para gjykatës se kontrollet e ambienteve të brendshme janë bërë me sy të lirë, pasi alarme të tilla bien shpesh në bankë, dhe janë kthyer në një rutinë.
Megjithë paralajmërimet e alarmit, vjedhja është konstatuar ditën e henë. Dy të akuzuarit, Roland Liti dhe Alan Babameto dyshohet se e kanë realizuar vjedhjen duke çarë murin e dhomës kasafortë nga një bodrum i një lokali që ndodhet ngjitur me godinën e bankës. Autorët u tradhtuan nga shenjat e gishtërinjve që kishin lënë mbi një shishe uji, të cilën e kishin harruar në vendin e ngjarjes.