Kroacia siguroi një biletë për në gjysmëfinalet e Botërorit, duke eliminuar pikërisht organizatorët e turnet, Rusinë. Padyshim kjo ishte një arritje e madh për kroatët që ndodh për herë të dytë në historinë e tyre, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Një brez i artë në 98’-ën ka arritur në këtë fazë dhe ky brez tani i mbushur me lojtarë që luajnë me ekipet më të mira të Europës.
Por duket se festa i ka ekzaltuar më shumë se duhet kroatët, dhe kanë dalë nga vetja duke bërë deklarata nga të cilat mund të vijë një ndëshkim i rëndë. Është pikërisht autori i golit të dytë, Domogoj Vida, protagonist i një ‘provokimi’ të bërë në vendin e gabuar në kohën e gabuar.Ai nuk njihet si një lojtarë me disiplinë të madhe, nuk është saktësisht një tip i qetë, duke parë aventurat e tij mes birrave, qenve për stërvitje dhe gjakderdhjeve pas një përplasjeje në fushën e lojës. Por këtë herë fjalët e tij pas triumfit në ndeshjen me Rusinë, mund të sjellin një përçarje me vetë Putinin.
Çfarë ka ndodhur? E ka zbuluar “The Sun”, që ka bërë të ditur se Vida dhe Ognjen Vukojevic, pjesëtar i stafit të Dalic, kanë bërë një festim shumë politik. Në videon e postuar në YouTube, që tani po bën xhiron e rrjeteve sociale, qendërmbrojtësi i Besiktas ka thirrur “Lavdi Ukrainës”.
Një ide aspak e mirë, duke parë se ndodhet në Rusi. Akoma më keq nëse fraza në fjalë është slogani i forcave nacionaliste që janë kundër Putin në një konfliktin që zgjat prej disa vitesh mes dy kombeve. Po pse është thënë kjo frazë? Vida dhe Vukojevic kanë luajtur të dy në Ukrainë, te Dinamo e Kievit. Mbrojtësi ka shpjeguar se bëhej fjalë vetëm për një tallje, që i dedikohej miqve në Kiev. Por, FIFA mund të mos jetë e bindur nga ky shpjegim dhe mund të vendosë ta ndëshkojë kroatin.
Në fakt, sipas “The Sun”, federata ndërkombëtare e futbollit ka nisur hetimet në lidhje me këtë çështje, ashtu siç ka bërë me Shqirin dhe Xhakën për gjestin e shqiponjës, të cilët ia kanë hedhur me një gjobë.Problemi këtu është se Vida ka prekur direkt interesat e vendasve. Televizionet ruse kanë reaguar ndaj videos dhe kroati mund të mos ia hedhë si dy yjet e Zvicrës, duke rrezikuar të humbasë gjysmëfinalen e arritur edhe falë golit dhe penalltisë shumë të rëndësishme të realizuar nga vetë ai.