Rusia do të përballet me Spanjën të dielën në kuadër të 1/8-ve të Botërorit. Një ndeshje mjaft e vështirë për organizatorët të cilët besojnë se do zhvillojnë një ndeshje të madhe, e pse jo një surprizë. Sulmuesi ‘gjigant’ i Rusisë, Artem Dzyba është shprehur se ai nuk i trembet Spanjës dhe se janë të qetë të presin kundërshtarin dhe në momente të caktuar të përfitojnë nga rastet e tyre.“Në këto ndeshje kemi shumë gjëra për të mësuar. Duke luajtur ndaj më të mirëve, përmirësohesh. Por do ta quaja si një duel boksi mes një fëmije që sapo ka nisur të mësojë dhe një profesori ekspert.
Spanja është ekip i madh dhe ka në përbërje futbollistë që luajnë te Reali dhe te Barcelona. Kjo do të thotë gjithçka”, tha sulmuesi gjigant. Më tej, ai tregoi shanset që ka Rusia dhe çelësin e suksesit. “Duhet të jemi të qetë dhe të bëjmë durim. Duhet të presim gabimet që mund të bëjë Spanja dhe të përfitojmë nga rastet që do të kemi. Ekipi është i motivuar dhe shumë i përgatitur. Të gjithë besojnë se mund të bëjnë ndeshje të madhe”, ka thënë Dzyba.