Misteri i avionit me numër fluturimi MH370, duket se nuk do të zbardhet kurrë. Një kërkim privat për gjetjen e avionit është mbyllur zyrtarisht pa asnjë rezultat.
Kompania ‘Ocean Infinity’ me bazë në SHBA, përdori një mjet që zhytej në thellësinë e detit për të zhvilluar një kërkim 90 ditor në një zonë të gjerë në jug të Oqeanit Indian.
Por asgjë nuk u gjet dhe qeveria malajziane bëri te ditur se nuk ka asnjë plan të nisë kërkime të reja. Avioni u zhduk nga radarët në 8 mars të 2014-tës, ndërsa fluturonte nga Kuala Lampuri në Pekin me 239 persona në bord.
Ende vazhdon të ketë debate mbi zonën ku mund të ketë renë avioni. Kërkimet për mjetin e zhdukur fluturues u shtrinë në sipërfaqen më të madhe në historinë e aviacionit civil, duke mbuluar më shumë se 120 mijë km katrorë të oqeanit indian. Pjesë të avionit janë gjetur deri në Madakaskar, por jo trupi i tij. Kërkimi zyrtar, ku u përfshinë ekipe nga Australia, Malajzia dhe Kina, u mbyll në janar të vitit të kaluar.