Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook një video për të bërë publike historinë e Elonës, bashkë me burrin francez të cilët kanë vendosur të investojnë në fshat.
“Këlcyrë, fshati Ballaban, në sipërmarrjen me natyrën të Elonës dhe të shoqit të saj francez, që kanë krijuar një nga shembujt e shkëlqyer të agroturizmit, duke krijuar punë e mirëqenie, aty ku duket sikur s’ka asnjë rrugë për të punuar, fituar e jetuar bukur,” shkruan Rama.
Dje nga Ballabani i Përmetit, Elona Bejo i rrëfeu kryeministrit Rama gjatë drekës së shtruar në fermë se si vendosi të investojë me burrin francez Majid në fshatin e saj.
Ferma e tyre quhet “Grand Albanik”, dhe siç rrëfyen, interesi i të huajve dhe shqiptarëve i ka tejkaluar pritshmëritë.
“Historia është edhe e thjeshtë edhe e komplikuar. Im shoq është francez, kemi gati 2 vjet e gjysmë që punojmë e investojmë këtu dhe kemi shumë pak kohë që jemi hapur. Gjithçka po shkon shumë mirë, është edhe më lart nga sa e kemi pritur interesi dhe suksesi i fermës.
Tani me sezonin turistik, edhe sepse kemi bërë pak publicitet nëpër guida turistike, ka të huaj edhe shqiptarë që vijnë se kemi eksperiencë në këtë fushë, kemi qenë në një qytet tjetër në Elbasan, eci aty dhe erdhëm ta përsërisim në vendin e origjinës sime”, tha Elona nga Ballabani duke marrë komplimentet e kryeministrit.
“Ju jeni një ndër shembujt pozitivë dhe ne jemi të interesuar t’i promovojmë e të nxisim të tjerët të hyjnë në këtë rrugë”, u shpreh Rama.
“Vetëm receta është franceze këtu se gjithçka tjetër është shqiptare”, përforcoi Elona.
“Kur shkova në Elbasan, të gjithë banorët talleshin me mua. Askush nuk e besonte se do funksiononte. Sepse ishin në atë botëkuptimin që duhet mbjellë vetëm grurë e misër. Kur nisa të ndërtoja shtëpitë e drurit u tallën edhe më keq: Si po ndërton pa gurë pa beton? Më thanë do të bjerë në tokë. Mbas 8 vjetësh ika, i çmontova, i solla këtu dhe ja ku montova një të dytë. Tani e njohin të gjithë Labinotin, atëherë s’e njihte askush. Pastaj erdhën të më kërkonin këshilla si e ndërtove me dru. Ne donim të ndryshonim ambient dhe erdhëm këtu. Këtu bëjmë edhe bujqësi edhe turizëm”, rrëfeu francezi duke theksuar se nuk ka hasur problem në këtë rrugëtim me qeverisjen lokale aq sa me banorët që s’janë të hapur ndaj ndryshimeve.