Ekipi i Vllaznisë po kalon një moment aspak të qetë. Skuadra ndodhet në një pozitë tepër të vështirë. Tashmë qëndrimi në Superiore nuk është më në dorën e tyre, por të rivaleve për mbijetesë. Por, për të ngritur moralin e lojtarëve mendon vetë trajneri i tyre, Ernest Gjoka.Sipas asaj që shkruan Sport Ekspres, trajneri i shkodranëve u ka dërguar mbrëmë një mesazh të gjithë lojtarëve të tij. Mesazh për ti ofruar atyre mbështetje dhe dhënë siguri se mund t’ia dalin në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit.
“Mirëmbrëma çuna!! E di që jeni të mërzitur e të stresuar, e di që jeni nën presionin e opinionit, e di që kjo situatë është jo-pozitive….Por, ne sëbashku kemi kaluar shumë situata të vështira këtë dimër, kemi luftuar e sakrifikuar gjatë gjithë kohës, kemi humbur, fituar, barazuar, por për asnjë moment nuk e kemi lënë luftën përgjysmë….! Ne do të vazhdojmë luftën, kemi prapë mundësi për t’ia dalë! Unë ju kam thënë që një burrë e humb luftën kur i pushon zemra! Prandaj, kam besim se do t’ia dalim! Nesër ( sot ) me kokën lartë për të bërë gati ndeshjen me Partizanin!! Unë besoj tek ju! Ju përshëndes, Nesti!” – ka qenë mesazhi i Gjokës.
Praktika e letrave motivuese në futbollin shqiptar u shfaq nga Xhani De Biazi, në kombëtaren kuqezi, në fillim të punës së tij, që kulmoi me kualifikimin në “Euro 2016”. Më pas, nën shembullin e tij, kanë proceduar edhe të tjerë. Para ndeshjes së fundit me Vllazninë, të luajtur në “Loro Boriçi”, presidenti i Kamzës, Naim Qarri, u dërgonte lojtarëve të tij një mesazh inkurajues dhe motivues.