Shkarkimi nga posti i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj shkaktoi një furtunë në skenën politike dhe atë të organit të akuzës.
Opozita e cilësoi si një manovër e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku për të mos vijuar më tej me hetimin dhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Edhe pse kjo dosje mbetet në duart e Hajdarmajt si prokuror.
Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme jep edhe arsyet e shkarkimit të Besim Hajdarmatajt nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Prokurorja e Përgjithshme znj.Arta Marku caktoi përkohësisht znj. Donika Prela në krye të Prokurorisë për Krime të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme znj.Arta Marku me urdhrin nr.136, dt. 9 maj 2018 vendosi largimin nga detyra të Drejtuesit të Prokurorisë për Krime të Rënda, z. Besim Hajdarmataj, i cili mbetet prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme znj.Arta Marku njofton caktimin e znj. Donika Prela si kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda. Ky ndryshim ka për qëllim përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive që ka Prokuroria për Krime të Rënda. Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Marku. Ndërkaq, po në datën 9 maj, me urdhrin nr.138, znj.Anita Jella u caktua përkohësisht Drejtuese në Prokurorinë e Durrësit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.Në njoftimin e Prokurorisë specifikohet se shkarkimi i Besim Hajdarmataj ka për qëllim përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive që ka Prokuroria për Krime të Rënda. Dhe se do “do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë.”
Një nga çështjet më sensitive mbetet ajo e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ku gjen edhe opozita shkakun e shkarkimit të Hajdarmatajt nga posti i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Megjithatë, me sa duket e vërteta e këtij shkarkimi qëndron ndryshe. Sipas burimeve kofidenciale dhe shumë të besueshme i thanë “Tirana Today” se pak ditë më parë Arta Marku i ka kërkuar Besim Hajdmartajt që të arrestojë ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Po sipas burimeve kofidenciale të “Tirana Today”, Hajdarmataj ka refuzuar që të arrestojë Adriatik Llallën.Ky i fundit siç dihet tashmë është nën hetim për katër akuza nga Prokuroria e Durrësit. Kjo e fundit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen me numër 447 Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilën e drejtonte deri më sot, Besim Hajdarmataj.
https://tiranatoday.com/adriatik-llalla-nen-hetim-per-4-vepra-penale/
Për këtë arsye, Arta Marku i ka kërkuar para pak ditësh, Besim Hajdarmatajt procedimin penal dhe arrestimin e Adriatik Llallës. Por, ka ndeshur në refuzimin e Hajdarmatajt, i cili e pagoi me shkarkimin e tij nga detyra, edhe pse ky i fundit nuk ka dashur ta komentojë gjatë për mediat arsyen e shkarkimit.
“Nuk kam asgjë për të thënë. Është një vendim i datës së sotme, që unë kam marrë se duhet të largohem. Unë po merrem me kalimin e funksioneve tek personi që më zëvendëson”, ka thënë Hajdarmataj për CNA.al.
Por, sipas Arta Marku shkarkimi i Hajdarmatajt i hap rrugë shpejtimit të hetimeve ndaj çështjeve më të bujshme, një ndër të cilat është edhe dosja e Adriatik Lallës, të cilin Hajdarmataj refuzoi ta arrestojë duke marrë si shpagim largimin e tij nga detyra. TIRANA TODAY