Izet Haxhia, ish truproja i Sali Berishës ka shkaktuar shumë zhurmë me deklaratat e tij se do të vij në Shqipëri dhe do të flasë mbi ngjarjet që kanë tronditur opinion publik nga viti 1991 deri në vitin 1998. Pas deklaratave se është vetëdorëzuar në policinë turke dhe ka kërkuar ekstradimin drejt Shqipërisë, duket se kjo gjë do të ndodhë nesër. Oficerët e policisë shqiptare ndodhen tashmë në Turqi për të marrë Haxhinë, i cili akuzohet për vrasjen e Azem Hajdarit.
Gjithmonë, Haxhia ka akuzuar Sali Berishën për vrasjen e Azem Hajdarit por dhe për shumë krime që sipas tij Berisha ka bërë në periudhën kur ka qenë President. Në të gjitha statuset e tij në rrjetin social “Facebook”, Haxhia ka deklaruar se po rikthehet në Shqipëri për të fundosur Sali Berishën dhe ta fus atë në burg.
Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kërkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha. Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet. Izet Haxhia është dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë. Ekstradimi i tij në Shqipëri mund të çojë në hapjen e dosjes ‘Hajdari’.
Pak ditë pas vetëdorëzimit tek autoritetet turke, Haxhia ka zgjedhur në Shqipëri avokatin Fran Dashi, i cili do të mbrojë interesat e tij gjatë dhe pas ekstradimit. Sipas avokatit, Haxhia do të rigjykohet dhe dosja “Hajdari” do të rihapet. Ai gjithashtu shprehu bindjen se klienti i tij është i pafajshëm, dhe se pikërisht për këtë arsye kërkon një proces të rregullt ligjor, ndryshe nga ai i disa viteve më parë.
Në një intervistë në shkurt të këtij viti, Haxhia deklaroi se nuk ka asnjë garanci për jetën dhe ka bindjen se ndaj tij do të përdoren të gjitha metodat për ta eliminuar fizikisht. Por sipas ish-truprojës së Berishës, me rikthimin e tij në Shqipëri, pas 19 vjetësh, do të kërkojë edhe rihapjen e çështjes “Hajdari”, për të qartësuar jo vetëm pozicionin e tij për ngjarjen për të cilën akuzohet, por edhe për të folur me emra për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Lidhur me dosjen ‘Hajdari’ ai ka thënë se do të paraqesë provat që implikojnë disa persona shumë të rëndësishëm në këtë vrasje, por pa përmendur emra.
“Këta persona janë pjesë e një klani politik e mafioz shumë të fuqishëm, me qëllime të caktuara. Nuk është përmendur emri i tyre si projektues dhe urdhërdhënës të vrasjes së Hajdarit, por edhe të ministrit të Bukoshit, Ahmet Krasniqi. Unë e kam guximin t’i shoh në sy të gjithë ata që më kanë akuzuar me të padrejtë dhe në mënyrë tinëzare. Kur këto hiena t’i kem përballë në sallën e gjyqit, atëherë do të ballafaqohem me të vërtetat e mia që do të jenë makthi i tyre. Nuk kam besim te drejtësia, pasi ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një patericë e fuqishme e politikës”, deklaronte Haxhia.
Me ekstradimin e tij në Tiranë mbete të presim se si do të rrjedhin gjërat, shkruan lapsi. Haxhia gjatë kohës që ishte në Turqi, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha si të implikuar në vrasjen e Hajdarit, por edhe në shumë ngjarje të tjera.