Revanshi mes Tony Bellew dhe David Haye dhuroi me të vërtetë spektakël, por në fund festoi ai që më pak pritej. Ky duel ishte ndezur shumë gjatë konferencës dhe tensioni u shkarkua gjatë duelit ku Bellw mposhti me “KO teknik” në raundin e pestë Haye.Ky është suksesi i dytë radhazi për Bellew ndaj patriotit të tij, që pas triumfit në mars të vitit të kaluar, edhe asokohe me “KO teknik” në raundin e 11-të, këtë herë u tregua edhe më i shpejtë, duke e mposhtur rivalin në raundin e pestë. Për Bellew ky është triumfi i 30-të në ring në karrierën e tij, ku numëron edhe 3 humbje e një barazim.
Haye e nisi mjaft mirë në dy raundet e para dhe ishte superior në ring, duke dominuar me pikë, por më pas tabloja ndryshoi. Haye bie dy herë në tapet në sekondat e fundit të raundit të tretë, duke u shpëtuar nga kambana. Pasi arrin të mbijetojë në raundin e katërt, në të pestin Haye sërish e sheh veten në tapet. Haye përpiqet të qëndrojë në këmbë, por disa grushte të Bellew detyrojnë gjyqtarin të ndalë duelin në mesin e raundit të pestë.
Haye nuk arriti të tregojë formën e dikurshme, të shumë viteve më parë, ishte i avashtë në ring edhe pse peshonte më pak se rivali i tij, që falë grushteve të fuqishme arriti të mposhtë rivalin 37-vjecar. Haye-, ish-kampion bote, e pa shumë shpejt veten në telashe dhe nuk arriti të qëndrojë në këmbë as 5 raunde, duke rënë 3 herë në tapet dhe pësoi humbjen e 4-t në karrierë, ku numëron edhe 28 fitore. Bellew ishte më i freskët, u tregua i saktë në mbrojtje dhe corientoi rivalin me grushtet e tij, duke e merituar fitoren. Për Haye, dy humbje radhazi që mund t’i thonë mjaft karrierës së tij.
Pas fitores, Tony ishte mjaft emocional dhe nuk arriti t’i mbante lotët.
“David Haye është një boksier fantastik, thjesht bëmë një meç të fortë. Mosha është faktor për stilin e tij. Ai largohet si një boksier më i mirë se unë. Por, unë fitova, kundër të gjitha parashikimeve. Isha shumë pranë të mposhtesha në këtë ring sonte (e shtunë), vuajta shumë, por ia dola dhe kjo ka rëndësi. Në gusht e humba kunatin tim – babai i tij është këtu sonte dhe betohem se edhe ai ishte me mua, gjithashtu. Ashley, të dua, mik. E kam pasur në mendje gjatë gjithë kohës, më mungon shumë. Jam i thyer. Thjesht, jam i thyer”, ishin fjalët e Bellew pas meçit.“Tony boksoi një luftë mjaft të mirë, ai bëri disa lëvizje të mençura. Ai boksoi mirë, unë jo, është aq e thjeshtë. Unë mendova se isha i përgatitur për ta mposhtur, por del se unë nuk isha, kështu që ai është kampion i madh. A është fundi? Nuk jam ndjerë mirë sonte (e dielë), por nuke di. Humba ndaj një boksieri më të mirë, kështu që përgëzime Tony”, u shpreh David Haye.
David Haye si 37 vjeçar ka një karrierë mbresëlënëse si boksier, e përshkruar nga lëndime viteve të fundit që ja ka pamundësuar rikthimin në majën e boksit botëror.