Analisti Fatos Lubonja ka komentuar protestën e opozitës kundër rritjes së taksave dhe thirrjet për mosbindje civile. Në një lidhje direkte për rubrikën ‘Opinion’ në News24, Lubonja deklaron se mosbindja civile është pjesë e demokracisë. Ai u shpreh se nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar dhe mosbindja civile është shkalla e fundit përpara një revolte si në vitin 1997.
“Mosbindja civile është pjesë e demokracisë. Kjo nuk është për të sjellë Bashën në pushtet, por për të shpëtuar fëmijët. Nuk është vetëm Kukësi, por e gjithë Shqipëria dhe duhen protesta sa më të gjëra. Dhuna nuk është e nevojshme nëse njerëzit bashkohen. Kuptimi i kësaj mosbindjes civile është se nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar. Ata arrestojnë njerëzit për djegien e një kabine. Mosbindja çivie mendoj se është shkalla e fundit përpara një revolte siç ka ndodhur në Tunizi apo siç ndodhi në 1997 në Shqipëri”- tha Fatos Lubonja.
Gjithashtu, Lubonja tha se tërheqja e Ramës për taksën pa gjetur më parë një zgjidhje për banorët e Kukësit është për shkak të frikës së tij dhe dhunës së krijuar dhe jo për shkak të opozitës.
“Rama tërheqje taktike për taksën në Rrugën e Kombit për shkak të dhunës që u krijua dhe frikës, por jo për shkak të opozitës. Kukësi ishte një theksim i kësaj metode qeverisje. Tërheqja e kryeministrit është frikë dhe jo reflektim. Është e gjithë struktura e qeverisjes së tij që nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë plane për të gënjyer dhe mashtruar shqiptarët”- tha Lubonja.
Lubonja tha se nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar për shkak të protestave. Ai tha se Rama ka kapur policinë dhe Prokurorinë.
“Nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar. Është një sistem që nëse vazhdon kështu do sjellë një katrahurë. Me këto metoda nuk shkohet kurrkund përveçse greminës. Ekzistenca e çdo opozite është se sado e vogël të jetë ajo, është më mirë se të mos jetë fare. Opozita nuk është çliruar nga akuzat. Rama ka kapur policinë dhe prokurorinë” tha analisti.