Janë shfaqur imazhet e para të “Trenit të Dashurisë”, me të cilin udhëtoi për në Pekin, diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ku u takua me homologun e tij kinez.
Treni i gjelbër me të verdhë, ishte i blinduar dhe është i njëjti që përdori babai i tij, Kim Jong-il në maj të vitit 2000, kur ai gjithashtu udhëtoi për në Pekin për të vizituar Jiang Zemin, udhëheqësin e Kinës në atë kohë.
Sipas një raporti të vitit 2009 në shtypin e Koresë së Jugut, treni në atë kohë përbëhej nga rreth 90 karroca të blinduara, me dy trena të veçantë që udhëtonin përpara dhe pas tij.
Për shkak të peshës së saj, shpejtësia mesatare raportohet të jetë 37 mph, por brenda ai është relativisht i një teknologjie të lartë dhe luksoze.
Kimi e vizitoi Kinën nga e diela deri të mërkurën së bashku me gruan e tij, Ri Sol Ju, bëri të ditur një agjenci koreanojugore, ndërkohë që presidenti Xi ka pranuar gjithashtu një ftesë për të vizituar Korenë e Veriut.
Udhëtimi i tij vjen disa javë pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi një ftesë për t’u takuar me Kim-in.
Analistët thonë se Kimi ka ndjerë nevojën për t’u këshilluar me aleatin tradicional të vendit të tij në prag të takimit të tij të planifikuar me Trumpin dhe presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.
“Nëse Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara i përgjigjen me vullnet të mirë përpjekjeve tona për të krijuar një atmosferë paqeje dhe stabiliteti, dhe marrin me faza masa të sinkronizuara për të arritur paqen, çështja e denuklearizimit të gadishullit mund të zgjidhet”, – tha Kim, sipas përmbledhjes së agjencisë Xinhua lidhur me takimin e tij me Xi.
Ndërkohë, gruaja e Kim Jong Unit e mahniti publikun kinez me veshjet e saj tejet moderne teksa shoqëronte udhëheqësin koreanoverior gjatë vizitës së tij surprizë në Kinë gjatë kësaj jave.
Ri Sol Ju, zonja e parë e Koresë së Veriut, u pa me të paktën me tre veshje të ndryshme gjatë qëndrimit në Pekin.
Shumë qytetarë kinezë bënë komente në Weibo, një rrejetet social popullor në Kinë, për të vlerësuar paraqitjen e Ri-së. “Ri Sol-ju është vërtetë e bukur dhe e adhurueshme. Mund të them se mund t’i shkonte emri ‘zonja e parë e diplomacisë”, është më e mirë se motra e Kimit”, – shkruante një përdorues.
William Tang Tat Chi, një stilist nga Hong Kongu, tha se veshja e Ri-së ishte e përmbajtur edhe pse jo konsevratore, sikurse raportoi South China Morning Post.