Nga Franklin Foer, “The Atlantic”/Do të jetë e këndshme të shihet rrëfimi i djalit gjenial. Të gjithë politikanët – ironikisht në kërkim të një momenti viral – do të dëgjojnë në një seancë dëgjimore Mark Zuckerberg.
Ata do ta vënë më shpatulla pas murit themeluesin e Facebook, duke synuar të lëshojnë mbi të, të gjitha llojet e mëkateve. Kjo do të prodhojë për spektakël të bukur, por spektakli është në fakt një zëvendësues i politikës.
Ndërsa skandalet e Facebook po bëhen publike, reagimi kundër Big Tech (teknologjisë së madhe) është përshpejtuar me një ritëm marramendës.
Megjithatë, zemërimi ka tejkaluar të menduarit. Propozimi më i mbështetur në mënyrë entuziaste në Kongres, është ai që do të rregullonte reklamat politike që mund të shfaqen në një platformë, një ligj që vështirë se kufizon fuqinë apo fitimet e kompanisë.
Dhe duhet thënë, se është një ligj që nuk bën asgjë për të shënjestruar thelbin e problemit:mungesën e mbrojtjes qeveritare për të dhënat personale.
Fakti që Facebook duket i gatshëm të marrë plotësisht përgjegjësinë ndaj rolit të vet, hedh dyshime të mëtejshme mbi motivet dhe metodat e tij. Dhe gjatë këqyrjes së raporteve të tmerrshme, publiku mund të arrijë shpejt në ndërgjegjësimin se është dobësia e ligjeve tona, ajo që ka siguruar bazën për suksesin e jashtëzakonshëm të Facebook.
Pra modeli i biznesit i Facebook, është zhdukja e privatësisë. Kjo do të thotë se kompania synon t’i bindë përdoruesit të shkëmbejnë informacionet e tyre personale – atë që kompania e ka quajtur “transparencë radikale”, dhe pastaj synon të mbikëqyrë përdoruesit për të gjeneruar informacionin që do t’i mbajë ata “të angazhuar” në faqen e tij, dhe t’i drejtojë me saktësi drejt tyre reklama të caktuara.
Edhe pse Mark Zuckerberg mund të anojë sot nga e drejta privatësisë, ai ka qenë i sinqertë mbi atë që mendon vërtet. Për shembull në vitin 2010 ka deklaruar, se privatësia nuk është më një “normë shoqërore”. Ne duhet të kujtojmë vazhdimisht këtë indiferencë ideologjike ndaj privatësisë, pasi s’duhet të ketë asgjë tronditëse tek pakujdesia e zbuluar në episodin e “Cambridge Analytica”.
Ai nuk ishte një incident i izoluar. Facebook u ka dhënë qasje tek të dhënat e përdoruesve kompanive të tjera, si pjesë e një pazari djallëzor me zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta. Kompania kishte nevojë për marrëdhënie me këta zhvillues, sepse aplikacionet e tyre joshnin përdoruesit që të kalonin gjithnjë e më shumë kohë në Facebook.
Mark Zuckerberg, mund të besojë se bota është më e mirë pa privatësi. Por në fund, ne mund të shohim kostot e vizionit të tij. Informacioni ynë intim, ishte gjerësisht i disponueshëm nga individë me qëllime të këqija, të cilët shpresojnë të manipulojnë opinionin tonë politik, zakonet tona intelektuale dhe modelet tona të konsumit. Facebook i shndërroi të dhënat tona në një mall, që tregtohet pa dijeninë tonë.
Përballë forcave të tilla shfrytëzuese, amerikanët kanë kërkuar historikisht ndihmën e qeverisë për t’i mbrojtur ata.
Ligji na mbron nga bankat, që të keqpërdorin paditurinë dhe dobësitë tona njerëzore – dhe ndalon publikimin e të dhënave tona financiare. Kur prodhuesit e ushqimeve të përpunuara i mbushin produktet e tyre me përbërës të tmerrshëm, qeveria i detyron ata të zbulojnë në mënyrë transparente listën e plotë të tyre.
Ne duhet ta shtrijmë modelin tonë historik edhe në botën tonë të re. Fatmirësisht nuk kemi nevojë të hartojmë ligje nga e para.
Në maj të këtij viti, Bashkimi Evropian do të fillojë të zbatojë një plan masash që e quan Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave. Me kalimin e kohës, kombet evropiane krijuan agjencitë e tyre që vendosën kufizime ndaj teprimeve të kompanive të teknologjisë.
Por ky regjim i ardhshëm, krijon një standard të vetëm për tërësinë e BE-së – një përpjekje masive dhe kryesisht magjepsëse për t’i detyruar kompanitë e teknologjisë të shpjegojnë qartë, se si synojnë t’i përdorin informacionet personale që ato mbledhin. Ai u jep qytetarëve kompetenca më të mëdha për të kufizuar shfrytëzimin e të dhënave, duke përfshirë të drejtën për të fshirë të dhënat.
Ka ardhur koha që edhe Shtetet e Bashkuara të krijojnë infrastrukturën e vet rregullatore, të dizenjuar për t’u pajtuar me vlerat dhe traditat tona – një Autoritet për Mbrojtjen e të Dhënave. Ashtu si në Evropë, qytetarët duhet të kenë të drejtën për të pastruar të dhënat, që ndodhen në serverat e medave sociale.
Kompanive duhet t’u kërkohet të vendosin opsionet e parazgjedhura, në mënyrë që qytetarët të vendosin ose jo në favor të një mbikëqyrje, dhe jo të pranojnë pasivisht humbjen e privatësisë së tyre. Natyrisht, krijimi i një Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave, do të ngrinte një mori pyetjesh të reja. Dhe ekziston një frikë shumë e arsyeshme, se të pasurit dhe të fuqishmit do të përpiqen t’i përdorin këto rregulla kundër llojit të gazetarisë që ata nuk pëlqejnë.
Fatmirësisht, ne kemi një organe drejtësie shumë më miqësore ndaj gazetarisë, sesa evropianët – dhe ne mund ta shkruajmë ligjin tonë për të mbrojtur fuqishëm median. Përveç kësaj, statuskuoja paraqet rreziqe më të ashpra për vlerat demokratike. Pasi kur privatësia zhduket, asgjë nuk rikthehet më si më parë.
PËRSHTATI TIRANA TODAY