Vendimi i 13 shkurtit të 2018-ës nga Gjykata Administrative në Durrës nuk ka pajtuar asnjë prej palëve për çështjen e shumëdiksutuar “Veliera”. Ashtu si Shoqëria Civile edhe bashkia e Durrësit e ka apeluar vendimin. Por çështja gjyqësore në shkallën e dytë ka mbetur peng pasi prej 36 ditësh nuk është bërë zbardhja e vendimit nga ana e Gjykatës Administrative.
Kryebashkiaku Dako deklaroi se Gjykata Administrative nuk zbardh vendimin e datës 13 shkurt.
“Gjykata po bëhet pengesë për vazhdimin e procedurës gjyqësore në apel, por edhe të punimeve. Gjykata për 9 muaj nuk mori asnjë vendim, tani nuk po e zbardh dhe kanë kaluar të gjithë afatet ligjore. Ky është absurditet. Po presim çdo ditë me padurim zbardhjen e vendimit gjyqësor. Që gjykata e Apelit të vijojë procesin duhet që të dorëzohet vendimi i zbardhur. Në mungesë të këtij vendimi, procesi nuk zhvillohet. Ligjërisht ka kapërcyer çdo afat të zbardhjes së vendimit. Vendimi i zbardhur duhet të bëhej brenda 7 ditësh, kanë kaluar 29 ditë të tjera prej marrjes së vendimit.”
Dako foli edhe për fazën e dytë të punimeve. Një tender prej 600 milionë lekësh pritet të zhvillohet në datën 2 prill.
“Ka të bëjë me riveshjen e tunelit, ndriçimin dhe asfaltimin e rrugës Taulantia. Nuk ka punime në zonën arkeologjike A”, deklaroi Dako.
Punimet në sheshin “Veliera” qëndrojnë të bllokuara prej 4 shkurtit të 2017-ës. Sheshi në qendër të Durrësit është kthyer në një varr të hapur për qytetarët.