Iu largua procesit të vettingut, por jo përgjegjësisë ligjore. Për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj kërkohet ndjekje penale. Kërkesa dhe dorëzimi i dosjes në Prokurori është bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar sot se, në bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, i ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte vendosur që të ndërpriste Vettingun për gjyqtarin e Kushtetueses Besnik Imeraj më 5 mars 2018 pas dorëheqjes së gjyqtarit në datë 31 janar. Kështu ndaj Besnik Imerajt nuk do të ketë asnjë rivlerësim, pasi ka hequr dorë sistemi i drejtësisë, por kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të hetohet penalisht për punën e tij gjatë kohës kur ushtronte funksionin e gjyqtarit.
Një logjikë e tillë vlen edhe për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili pasi i shpëtoi gjithashtu vetitngut pas dorëheqjes për të vijuar punën në sistemin e drejtësisë, mund të ndiqet gjithashtu penalisht për veprimtarinë e tij si kryetar i organit të akuzës.