Një semafor i vendosur tek ura e ngushtë që lidh zonën e Paskuqanit dhe të Babrroit me Tiranën, çdo ditë, kryesisht në orët e pikut ka telefonata për bllokim të trafikut për shkak se nuk respektohet semafori, duke bllokuar lëvizjen mbi urë.
Nisur nga këto shqetësime Policia Rrugore e Tiranës prej orës 09:30 të kësaj të marte ka organizuar grup kontrolli për dokumentimin dhe verifikimin e shkeljeve administrative në këtë zonë. Në një njoftim për mediat, policia sqaron se nga monitorimet e kryera janë konstatuar dhe ndëshkuar 30 automjete për shkelje, “pasi kanë vazhduar lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalon atë”.