Ka kaluar më shumë se një muaj nga rizgjedhja për herë të pestë të Armand Dukës në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kandidati që doli i humbur Bashkim Fino ka bërë lëvizjen e radhës.
Fino ka apeluar në gjykatën e lartë të arbitrazhit në Nyon të Zvicrës, CAS, zgjedhjen e Dukës në krye të FSHF-së, gjë që e kishte paralajmëruar menjëherë pas zgjedhjeve. Mësohet se ai ka kërkuar pavlefshmëri absolute të zgjedhjeve të mbajtura më 7 shkurt, ku pati aludime edhe për zgjedhje të parregullt të anëtarëve të Komisionit të Etikës, raporton Report Tv.
Një pikë tjetër e fortë që besohet të këmbëngulë Bashkim Fino janë edhe “Shoqatat fantazmë”, të cilat janë bërë publike dhe janë depozituar në prokurori për kryerjen e veprimeve të paligjshme. Për një rast të ngjashëm, si shoqatat në fjalë në Shqipëri, presidenti i Federatës Kroate të Futbollit, ish-futbollisti legjendar Davor Suker, është shkarkuar nga detyra.