Partizani barazoi me Teutën në Durrës 1-1 dhe nuk arriti që të ruante vazhdimin e fitoreve. Por ajo që vret më shumë është mënyra se si erdhi ky barazim, ku vetëm pak sekonda para përfundimit është portieri Moçka që gjen rrugën e rrjetës. Trajneri Starova u shpreh më i zhgënjyer për mënyrën se si erdhi barazimi, se sa për lojën e skuadrës së tij.
“Marrja e 2 pikëve do të ishte shumë e rëndësishme, pasi do të investonte edhe në anën psikologjike të skuadrës. Edhe terreni ndikoi disi në rrjedhën e lojës, por edhe ne mund të kishim bërë më mirë, ndonëse kam mendimin se kjo hyn te ndeshjet e mira të skuadrës. U favorizuam me 11-metërshin e pritur nga Hoxha, po u ndëshkuam nga ajo ngjarje që ndodh shumë rrallë në futboll, për rekord ‘Guinness’.
Jam dakord për faktin që duhet të kishim shfrytëzuar më mirë hapësirat, por mendoj se u përpoqëm, pavarësisht se nuk ia dolëm. Duhet të evidentojmë që në repartin e sulmit nuk jemi ende në 100% të mundësive tona, pasi blerjet e janarit, nuk kanë arritur maksimumin.
Ne bëjmë mbulim një për një, në ekzekutimin e goditjeve standarde, por këtë herë Teutës iu shtua edhe një lojtar në zonë. Natyrisht që do të ndalemi edhe te kjo pjesë dhe do ta analizojmë”, tha Starova pas ndeshjes.