Presidenti francez Macron dhe kreu i OKB-së Antonio Guterres kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ku shprehën shqetësimin e tyre lidhur me situatën në Gutan Lindore, ku autokolonat e OKB-së duhet të lejohen të dërgojnë ndihma në enklavën rebele siriane.
“Gjatë një bisede telefonike dje në mbrëmje, presidenti francez dhe kreu i OKB-së rikonfirmuan vendosmërinë e tyre të plotë për të mundësuar aplikimin nga regjimi sirian dhe aleatët e tij të rezolutës 2401, veçanërisht për aksesin humanitar”, theksoi Elyse.
“Autokolonat e OKB-së duhet të shpërndajnë që prej këtij momenti asistencë mjekësore për popullsinë e rrethuar”, shtoi presidenca franceze, shkruan atsh.
Mësohet se Macron do të zhvillojë një bisedë telefonike për Sirinë me homologun e tij iranian, Hassan Rohani, pasi Teherani është një prej mbështetësve kryesorë të regjimit sirian.
Një javë pas miratimit, rezoluta e OKB-së parashikon një armëpushim 30 ditor, por për momentin nuk është aplikuar në terren, ku forcat e regjimit dhe aleatët e tyre kanë intensifikuar ofensivën tokësore kundër grupeve rebele.