Nga Martina Napolitano, “eastjournal.net”/Zgjedhjet presidenciale ruse do të mbahen më 18 mars. Data u shty me një javë, dhe tani përkon me përvjetorin e katërt të aneksimit rus të Krimesë, një ngjarje jo pa ngarkesa propagandistike në favor të presidentit aktual Vladimir Putin.
Zyrtarisht, arsyeja për ndryshimin e datës është burokratike. Sipas ligjit, zgjedhjet duhet të mbahen të dielën e dytë të muajit në të cilin janë mbajtur zgjedhjet e fundit presidenciale, por jo në një javë përmban një festë publike.
E diela e 11 marsit, nuk mund të ishte e përshtatshme, pasi vjen menjëherë pas Festës së 8 Marsit, e cila në Rusi nuk është një ditë pushimi.
Vladimir Putin, është përsëri kandidati favorit. Ligji i lejon rizgjedhjen për një mandat të dytë të njëpasnjëshëm; në total do të ishte e katërti, pas mandateve në vitet 2000-2004, 2004-2008 dhe 2012-2018. Putin, është i vetmi kandidat që do të paraqitet në këto zgjedhje si i pavarur – ku në këtë rast kërkohen firmat e 300.000 qytetarëve.
Të dy kandidatët e paraqitur nga partitë që janë të përfaqësuara në Duma – respektivisht Vladimir Zhirinovski për LDPR (Partinë Liberal Demokratike) dhe Pavël Grudinin për KPRF (Partinë Komuniste) – nuk kanë nevojë të paraqesin firma për t’u regjistruar në garë. Pesë kandidatët e tjerë, të gjithë përfaqësues të partive që nuk kanë përfaqësim në parlamentin rus, duhej të paraqisnin secili nga 100.000 firma qytetarësh.
Pra në fletën e votimit, votuesit rusë do të zgjedhin mes 8 emrave:në rend alfabetik, Sergej Baburin (Rossijskij Obščenarodnyj Soyuz), Pavël Grudinin (KPRF), Grigori Javlinski (Yabloko), Vladimir Putin (i pavarur), Ksenija Sobçak (Graždanskaja Iniciativa), Maksim Surajkin (Kommunisty Rossii), Boris Titov (Partija rosta) dhe Vladimir Zhirinovskij (LDPR).
Sipas sondazheve të kompanisë VCIOM në mesin e muajit shkurt, Putin është kandidati i preferuar me 69.5 për qind të votave, i ndjekur nga Grudinin me 7.5 për qind dhe Zhirinovski me 5.3 për qind. Të gjithë të tjerët mbeten nën 1 për qind të votave (vetëm Javlinskij është pak më shumë se 1 për qind, saktësisht 1.4 për qind).
Shtatëdhjetë ishin në fillim kandidaturat që mbërritën në Komisionin Qendror Zgjedhor ndërmjet 18 dhjetorit dhe 12 janarit:shumë prej tyre zgjodhën më pas të tërhiqen, të tjerët u përjashtuan. Në mesin e munguarve të mëdhenj, është sigurisht Aleskei Navalni, i përjashtuar menjëherë më 25 dhjetor 2017 nga Komisioni Qendror Zgjedhor, për shkak të dënimit në pritje kundër tij (për rastet KirovLes dhe Yves Rocher Vostok).
Tre ditë pas përjashtimit, opozitari i njohur u përpoq ta apelojë vendimin, që u hodh përfundimisht poshtë në fillim të janarit. Avokati i Navalnit, Zhdanov, njoftoi se synonte ta denonconte rastin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në fund të janarit, Navalni ftoi votuesit të mos shkojnë në votime në shenjë proteste.
Një tjetër i përjashtuar, për arsye të ngjashme, është gazetari Oleg Lure, i dënuar për shantazh ndaj senatorit Sluckij.
Në raste të tjera, KQZ-ja ka refuzuar kandidaturat për mangësi në procedurën e dorëzimit të dokumentacionit, si në rastin e Ajna Gamzatov, intelektuale dhe gazetare e njohur për botën laike dhe myslimane në Dagestan, dhe bashkëshortja e myftiut të Dagestanit Abdulaev (burri i saj të parë ishte myftiu i mëhershëm Abubakarov, i vrarë në vitin 1998).
Udhëheqësi i partisë monarkiste, Anton Bakova, u detyrua të tërhiqte kandidaturën e tij, pasi nuk pranoi të tregonte si kombësi një entitet tjetër përveç Perandorisë së tij të dashur të Romanovëve.
Ndërkohë, rrjetet sociale janë populluar me video që ftojnë sa me seriozitet aq edhe me humor për të shkuar në votime.
Kujtojnë se pjesëmarrja e rusëve në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016, nuk shkoi përtej një 47 përqindëshi dekurajuese (për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 ishte 65 për qind).
PËRSHTATI TIRANA TODAY