Ergys Kaçe duket mjaft i lumtur me lëvizjen që bëri në merkaton e janarit, ku kaloi nga PAOK-u tek Panathinaikos. Mesfushori i kombëtares kuqezi ka fituar menjëherë vendin e titullarin në ekip dhe duket se është ambientuar shumë shpejt edhe me shokët e ekipit. Në fitoren e kësaj jave që mori ekipi nga Athina, Kaçe është vlerësuar si më i miri në fushë dhe ka rrëmbyer menjëherë zemrat e tifozëve.
“Jemi shumë të lumtur me fitoren e arritur kundër Larisës. Ne duam të vazhdojmë në të njëjtën rrugë edhe në ndeshjet e ardhshme. Kemi një sfidë të vështirë përpara, por duhet të punojmë. Duhet të ngjitemi sa më lart të jetë e mundur si skuadër”, tha fillimisht Kaçe.
Ai tregoi edhe sekretin e fitores. “Tani besoj se i dimë cilat janë problemet tona dhe po bëjmë gjithçka për t’i kaluar ato. Çelësi i fitores ndaj Larisës ishte loja në grup dhe ekipi i bashkuar. Këtë e treguam edhe në fushën e lojës. Shokët e skuadrës më kanë ndihmuar për t’u përshtatur sa më mirë. Janë djem shumë të mirë dhe unë e gjeta veten i rrethuar nga njerëz pozitivë”, përfundoi Kaçe.