Armando Sadiku është gati për Levanten. Edhe pse ka tre javë që i është bashkuar ekipit spanjoll, elbasanasi akoma nuk ka arritur të debutoj në La Liga. Por është i qartë kontributi që pritet të japë sulmuesi i kombëtares shqiptare tek ekipi valencian, pasi tashmë është plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi. Ai është aktivizuar titullar në miqësoren që zhvilloi Levante me ekipin rus, UFA dhe ishte protagonist me një asist për Roger që solli barazimin.
Kjo ishte ndeshja e parë për bomberin shqiptar dhe kontributi që dha në fushë ishte një sinjal i mirë për trajnerin Juan Ramón López Muñiz, se tashmë është gati që të debutojë edhe në ndeshje zyrtare.
Ndoshta prej të hënës së ardhshme, ku skuadra nga Valencia do të presë në shtëpi Real Betisin. Me rigjetjen e formës më të mirë, Armando Sadiku do të synojë hapësirat e tij në fushë dhe ndryshimin e hierarkive në sulmin e Levantes, ku Pazzini në qendër mbështetet nga Morales dhe Jason nga krahët, por edhe talenti ganez Emmanuel Boateng.