Mes ankesave për kushte të këqija higjienike në godinat e konvikteve, studentët rrëfejnë mundimet e tyre të përditshme për të shtyrë vitet e shkollimit të lartë në godinat e vjetra dhe të pamirëmbajtura, ndërsa i bëjnë thirrje administratës së Qytetit Studenti të ndërhyjë menjëherë për të siguruar një jetesë normale.
I vendosur për të përjetuar plotësisht eksperiencën e viteve të tij si student, Emiljando, 19-vjeç nga Lezha, i cili studion shkenca politike në Tiranë, thotë se iu drejtua vendit të njohur si simbol i studentëve, Qytetit Studenti, i nxitur jo vetëm nga arsyet ekonomike.
Por sipas tij, miti i krijuar për Rezidencën Studentore Universitare nr. 1, siç njihet zyrtarisht kompleksi i godinave të konvikteve studentore Qyteti Studenti, rezultoi në fakt të ishte “një qytet i vdekur”, të cilin studentët e kishin braktisur.
“Kur kam pa si bëhet jeta, është si dita me natën. Kushtet janë vërtet skandaloze,” tha ai për BIRN, duke shtuar se studentët jetojnë me pajisje të vjetra, dhoma me lagështi, dushe me orare dhe banjo të pista.
“Sigurisht që vitin tjetër nuk do të jem më aty. Do të dal në shtëpi me qira me disa shokë, por kjo nuk është zgjidhje,” vazhdoi ai, ndërsa tha se kjo do t’i shtonte barrën e shpenzimeve për të mbuluar vetë faturën e dritave dhe ujit.
“Shteti duhet të gjejë një zgjidhje që godinat t’i shërbejnë studentëve,” përfundoi Emiljando.
E ndërtuar në fillim të viteve ’60 në Shqipërinë komuniste, Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve Nr.1 që sot njihet si Qyteti Studenti, ka një histori të gjatë në strehimin e studentëve të ardhur nga rrethet për të studiuar në kryeqytet.
Megjithatë vitet kanë rënduar në infrastrukturën e 26 godinave ku strehohen disa mijëra studentë çdo vit.
Pagesa totale për një student është 4.500 lekë në muaj, ku përfshihen uji e dritat, ndërsa studentët akomodohen kryesisht në dhoma me nga dy-tre persona, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme pa njohje paraprake.
Genta, një 20-vjeçare nga Dibra, e cila studion në fakultetin ekonomik të Tiranës i tha BIRN se jetesa në kryeqytet për studime ka rezultuar për të e vështirë dhe se largësia nga familja e lë shpesh edhe pa mjete financiare.
Ajo jeton prej një viti e gjysmë në konviktin e Qytetit Studenti, të cilin e zgjodhi prej shpenzimeve të përballueshme dhe afërsisë me shkollën.
“Tualetet janë një problem i ditur; sapunët dhe letrat i blejmë vetë, por për drynat si i bëhet?” pyet ajo, ndërsa shpjegon se këtu dyshekëve u kanë dalë sustat, ngrohëset nuk funksionojnë, interneti kap vetëm në katin e parë.
“Kërkojmë vetëm një jetesë normale. Sigurisht që 4500 lekë në muaj nuk janë shumë, por prandaj janë konviktet,” thotë ajo e shqetësuar.
Një sondazh i publikuar së fundmi nga qendra Qëndresa Qytetare zbuloi se rreth 65% e studentëve i vlerësojnë kushtet higjienike të tualeteve të konvikteve si të këqija dhe pohojnë se uji i rrjedhshëm në to mungon.
Sondazhi që u shtri mbi 300 studentë të moshave 18-27 vjeç që banojnë në Qytetin Studenti ngriti po ashtu shqetësimin se tualeteve u mungojnë sapunët dhe letrat higjienike, ndërsa 86% e studentëve pohojnë se dyert e tualeteve nuk mbyllen.
BIRN vizitoi më 19 shkurt ambientet e një godine të Rezidencës Studentore Universitare nr. 1, ku fotografoi kushtet shqetësuese të tualeteve dhe banesave të studentëve.
“Kur vjen data e lekëve kujdestaret vijnë me urgjencë për t’i mbledhur,” thotë Genta, “por kur ankohemi ne, nuk e kanë me ngut të reagojnë,”.
Përveç kushteve të mjeruara brenda konviktit, studentët e intervistuar nga BIRN u ankuan po ashtu për transportin urban që lidh zonën e tyre me qendrën e qytetit. Ata thonë se autobusi merr intervale 40 minutëshe për të mbërritur në stacion dhe se mjeti i vogël mbipopullohet në përmasa çnjerëzore.
“Duam autobusë më të mëdhenj dhe më të shpeshtë,” kërkuan ata.
“Këtu as flihet, as studiohet”Lorena Manjani, e cila prej dy vitesh jeton në konviktin e Qytetit Studenti e ka vendosur veten në frontin e parë të përpjekjeve për të zgjidhur problemet me të cilat hasen studentët në konvikt.
Ajo thotë se është ankuar deri më tani katër herë për çështje të ndryshme dhe se shtyrja e zgjidhjes së problemeve për të ardhmen është pikërisht ajo që po i largon studentët dhe po i zbraz godinat.
“Kur ankohemi thonë se do të ndërtohen godina të reja, nuk do të presim për ‘do të’ [në kohën e ardhme], duam të shikojmë përmirësime tani,” tha 22-vjeçarja, e cila studion për gazetari dhe që përfaqësoi grupimin Qëndresa Qytetare në sondazhin për kushtet e konvikteve.
Manjani thotë se përveç higjienës, ajo që e shqetëson më shumë është papërgjegjshmëria e mjekëve në lëshimin fiktiv të vërtetimit të shëndetit fizik dhe mendor që u kërkohet studentëve që regjistrohen.
Sondazhi zbuloi se studentët i marrin në shumicën e rasteve raportet mjeko-ligjore pa vizita te mjekët dhe se gjysma e tyre paguajnë ryshfet për ta siguruar atë nga mjeku i familjes apo urgjenca e Qytetit Studenti.
“Ka shumë zhurma në konvikt, kështu nuk ke mundësi as të studiosh dhe as të flesh si njeri normal,” tha Manjani për BIRN.
Sipas saj, kjo i fut konviktorët në grindje personale për ta vendosur vetë qetësinë.
“Por kush të siguron që studentja tjetër nuk ka probleme me shëndetin mendor?” pyet ajo, duke cituar raportet fiktive.
22-vjeçarja thotë se papërgjegjshmëria e mjekëve u rrezikon atyre jetën nga sëmundjet ngjitëse që mund të mbartin vajzat e tjera, rënduar kjo edhe nga higjiena e keqe në tualete dhe dushe, të cilave nuk i hidhet mjaftueshëm dizinfektues.
Pamundësitë ekonomike, i detyrojnë studentët konviktorë të ndajnë dhe pajisje të tjera për përdorim të përbashkët, duke e shtuar edhe më shumë gjasën e përhapjes së sëmundjeve.
BIRN kontaktoi drejtoreshën e Rezidencës Studentore Universitare nr. 1, Anila Shehu për të komentuar mbi ankesat e studentëve për higjienën dhe kushtet e këqija të konvikteve, por nuk mori përgjigje në kohën e publikimit.Të punësuarit mbeten pa larë
Renato, tashmë ish-konviktor, i tha BIRN se qe i detyruar pas një viti e gjysmë qëndrimi aty, të kërkonte një shtëpi me qira me pesë shokë të tjerë pasi oraret e dusheve e linin shpesh pa u larë.
“Punoja gjithë ditën me allçi si skulptor dhe kur kthehesha në darkë në godinë kishte kaluar orari 9 me 7 i dusheve, nuk lahesha dot. Në mëngjes duhet të shkoja në shkollë,” tha ai.
“Jam ndjerë mirë në konvikt. Po të mundja do të vazhdoja të jetoja aty e nuk do të rëndohesha me pagesat e ujit dhe dritave,” shtoi ai.
Të tjerë konviktorë i thanë BIRN se ata që studionin dhe punonin, detyroheshin të laheshin me kusitë që ngrohnin në dhomat e tyre në tualetet e zakonshme, pasi dushet mbylleshin në darkë.
“Edhe kur jemi brenda orarit, lahemi sa te njëra godinë te tjetra, duke lëvizur me peshqir nëpër kate pasi dushet janë në të parin dhe hapësira është e vogël, saqë rrobat e tjera mund të lagen,” thanë ata.
“Kjo punë edhe kur temperaturat janë nën zero, ndërkohë që uji është më tepër i ftohtë se i ngrohtë,” shprehën acarimin e tyre konviktorët.
E pyetur për kohën e kaluar në Rezidencën Studentore Universitare nr. 1 në Tiranë, një 21 vjeçare nga Gjirokastra, e cila refuzoi të zbulonte emrin e saj të vërtetë, nxjerr një duhmë të gjatë dhe thotë se kujtimi i atij vendi i sjell në mendje përfytyrimin e një burgu.
21 vjeçarja tregon se kaloi një vit e gjysmë në Qytetin Studenti pasi erdhi në Tiranë për të studiuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës me paratë e ofruara nga familja.Edhe pse ndryshoi vazhdimisht godinat – e favorizuar dhe nga njohjet që kishte me stafin e konviktit – studentja tregon se “edhe me miq, kushtet mbeteshin skandaloze”.
“Dhomat ishin me lagështi, higjiena qe aq e dobët saqë u sëmura tetë herë në një vit e gjysmë që qëndrova aty,” thotë ajo.
“Normal që do të largohesha, kushtet ishin mizerabël, thjesht një krevat, një lavaman dhe një dollap, sikur të ishe në burg,” tregon studentja nga Gjirokastra, duke shtuar se një jetesë e atillë ishte depresionuese.
Ajo thotë se qe e pamundur të gatuaje në dhomën e vogël që përdorej për studim dhe fjetje dhe se detyrohej të hante në një nga mensat aty pranë, ku siguria ushqimore qe thuajse inekzistente.
Pasi gjeti punë si operatore në një call center, ajo priti një muaj të mblidhte paratë e qirasë dhe doli në shtëpi me qira në një nga shtëpitë private të zonës mbi Qytetin Studenti e njohur si vilat gjermane, e cila ka çmime relativisht të ulëta strehimi që parapëlqehen nga studentët që refuzojnë konviktin.
“Në konvikt nuk kthehem, edhe sikur të rri pa bukë,” përfundon e ngrysur ajo rrëfimin e saj.
Nga brenda konviktit megjithatë, studentët e tjerë thonë se nuk do të dorëzohen për të marrë kushtet që meritojnë.
“Unë besoj në drejtësi dhe do të luftoj për të deri sa të përmirësohen kushtet tona,” u shpreh e vendosur Manjani./BIRN/