Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin ndërkombëtar antidrogë ku përfundoi me arrestimin e 12 personave. Sipas policisë, lënda narkotike ishte importuar nga Spanja dhe Holanda dhe si destinacion kishte zonat kryesore të Lacios dhe Pulias në shtetin fqinj të Italisë. Në këtë grup ishin pjesëmarrës edhe nga Shqipëria.
Nga ky operacion janë sekuestruar 4 kg kokainë e pastër, 36 mijë euro kesh dhe 1 kg hashash. Hetimi i përbashkët ka bërë të mundur të ndiqen penalisht 31 persona prej të cilëve 12 janë arrestuar në flagrancë.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm është bërë i mundur arrestimi njëkohësisht në Itali i 6 shtetasve shqiptarë, 1 italian dhe 1 rumune rezidentë në Itali dhe në Shqipëri i një shtetasi shqiptar Mario Ç, 38 vjeç, nga Lushnja me akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike”-thuhet në deklaratën e policisë.
Rezar Velmishi, Shef i Sektorit për Hetimin e Narkotikeve tha se aksion për arrestimin e këtij grupi ka qenë në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Njoftimi i policisë
Sot, më datë 15 shkurt 2018, Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion ndërkombëtar antidrogë të koduar “NADIR”. Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Policinë italiane dhe Karabinierinë e Kompanisë Roma Centro. Grupi kriminal ishte i përbërë nga shqiptarë dhe italianë të angazhuar në trafikun e lëndëve narkotike të llojit kokainë e importuar nga Spanja dhe Holanda për ta tregtuar në sheshet kryesore të zonës së Lacios dhe Pulias.
Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me Policinë italiane Zyrën Interforcë, prezente në Shqipëri dhe me kolegët e Karabinierisë në Romë, nëpërmjet kanaleve të komunikimit të drejtpërdrejtë të dy Policive ka bërë të mundur që në shtetin italian të lëshohen urdhër arrestet ndaj 11 personave, 8 prej të cilëve në burg dhe tre në arrest shtëpie me akuza të trafikut të lëndëve narkotike.Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 4 kilogramë Kokainë e pastër, 1 kg hashish dhe 36 mijë euro ‘cash’.
Ky grup kriminal trafikonte sasi të konsiderueshme kokaine të pastër, e cila transportohej nga korrierë të përzgjedhur, mes të cilëve të rinj pa precedentë penalë. Droga më pas tregtohej në zonat e Romës, Frozinones e në Foxha. Hetimi i përbashkët ka bërë të mundur të ndiqen penalisht 31 persona prej të cilëve 12 janë arrestuar në flagrancë.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm është bërë i mundur arrestimi njëkohësisht në Itali i 6 shtetasve shqiptarë, 1 italian dhe 1 rumune rezidentë në Itali dhe në Shqipëri i një shtetasi shqiptar Mario Ç, 38 vjeç, nga Lushnja me akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Dy organizatat policore janë duke punuar intensivisht për kapjen e elementëve të tjerë të përfshirë në trafik dhe për shkak të sekretit hetimor nuk bëjmë me dije të tjera informacione. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në goditjen e grupeve kriminale si brenda ashtu edhe jashtë vendit duke u mbështetur nga partnerët e saj dhe duke dhënë siguri në një bashkëpunim të besueshëm dhe të suksesshëm.