Ish-Prokurori I Përgjithshëm, Adriatik Llalla ndalohet të hyjë në SHBA. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit, me anë të një njoftimi publikuar të mërkurën, ku theksohet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka miratuar masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Por, e njëjta masë është marrë edhe ndaj familjarëve të Llallës, teksa ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, ligji parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç Llallës, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.