Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën në orët e vona të së martës. Një sasi tritoli ka shpërthyer në garazhin e një shtëpie, e cila rezulton të jetë e sulmuesit të Vllaznisë, Fatjon Kirit. Shpërthimi i ndodhur fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Policia ka dalë në konkluzionin se ngjarja ka ndodhur për shkak të borxheve që futbollisti u ka personave të ndryshëm. 24-vjeçari është i federuar te Vllaznia B për momentin, por më herët ka luajtur edhe për ekipe si Tomori, Tërbuni, Korabi, Ada, apo ekipi i parë i Vllaznisë.
Njoftimi i policisë:
“Shkodër”
Më datë 13.02.2018, rreth orës 23:50, në lagjen “Salo Halili”, në qepenin e garazhit të banesës, në pronësi të shtetasit S.K. 29 vjeç, është vendosur lëndë plasëse dhe ka shpërthyer.
Nga shpërthimi nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Nga verifikimet e para dyshohet se shkak i kësaj ngjarje janë konfliktet që shtetasi F.K. ka me persona të ndryshëm për shkak të borxheve që u ka.
Policia ka shoqëruar 8 persona të cilët po pyeten në lidhje me ngjarjen.
Po sigurohen pamjet filmike të bizneseve të ndryshme në afërsi të vendit të ngjarjes
Vijojnë hetimet për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, – përfundon njoftimi.