Vetëm një kilometër larg vendit ku u gjet e zhytur një fuoristradë, është gjetur një gomone e gjatë 5 metra, e ngarkuar me kanabis.
Konkretisht, gomonia me drogë u gjet pranë Petroliferës në qytetin e Vlorës, ndërsa dyshohet se ajo tërhiqej nga automjeti me targa italiane që u gjet i zhytur.
Më herët u gjet i zhytur në det një automjet me targa italiane BG643 GX, në zonën e plazhit të vjetër.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë sinjalizuar policinë për makinën që kishte mbetur në ujë.
Edhe gomonia me drogë, ashtu si automjeti ka qenë e braktisur. Nuk dihet ende sasia e drogës e gjetur në gomone, ndërsa policia po vijon hetimet për kapjen e trafikantëve.