Kategoria e Parë, grupi B është hapur me supersfidën e vendit të parë, Tirana me vendin e tretë, Tomorri. Një sfidë që ka shumë histori brenda, që nga titulli ku beratasit pretendojnë se Tirana e ka marrë padrejtësisht. Sfidë u luajt në “Selman Stërmasi” dhe u mbyll me triumfin e kryeqytetasve 3-1, duke bërë një shkëputje me 10 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Bylis.
Tirana e drejtuar nga Ze Maria ka treguar se është një nivel tjetër me ekipet e kësaj Kategorie dhe ka siguruar kreun. Goli i parë erdhi në minutën e 18’ nga pika e bardhë e penalltisë, e cila u ekzekutua mjeshtërisht nga anglezi Ngoo. Penalltia u kontestua shumë nga miqtë, por anësori nuk u lëkund nga vendimi i parë.
11-t minuta më pas një top i gjatë për Kopaçin shfrytëzohet më së miri nga futbollisti i cili kalon edhe Ilion Likën për të realizuar, duke rikthyer baraspeshën dhe shpresën për një rezultat pozitiv në kryeqytet.
Barazimi nuk zgjat shumë pasi është sërish anglezi Ngoo, i cili kalon në avantazh bardheblutë me një gol mjaft të bukur nga kufijtë e zonës. Kështu shënon golin e dytë për Tiranën dhe të dytin personal.
Si të mos mjaftonte kjo, Tomori pas përfundimit të pjesës së parë do të ndëshkohej me karton të kuq. Në kohën kur skuadrat u larguan në dhomat e zhveshjes, Kopaçi është ankuar tek gjyqtarët e takimit. Kjo ka sjellë karton e dytë të verdhë për të, duke e lënë Tomorin me 10 futbollistë.
Në fraksionin e dytë të lojës gjithçka bëhet me e lehtë për Tiranën e cila sulmon shumë. Një top në zonë dhe Ngoo pengohet nga portieri për të goditur. Gjyqtari sheh gjithçka dhe akordon penallti që goditet saktë nga Greca në minutën e 58-t duke i dërguar shifrat në 3-1.
Pritej administrimi i lojës pasi gjithçka ishte në rrugën e duhur por afrikani Mavaje pak minuta më pas ndëshkohet me karton të kuq pasi godet me bërryl kundërshtarin.
Pas 15 ndeshjesh në Kategorinë e Parë, bardheblutë renditen në vendin e parë me 40 pikë, 10 më shumë se Bylisi i vendit të dytë që ka dy ndeshje me shumë për të luajtur. Tomori pas kësaj sfide renditet në vendin e tretë me 23 pikë.