Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu paralajmëroi për strukturim themelor të Policisë së Shtetit në të gjitha nivelet. “Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor”-tha Veliu.
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit është prezantuar para mediave nga ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në fjalën e tij drejtori i ri theksoi se drejtimin e Policisë së Shtetit e shikon si një përgjegjësi të madhe, ndërkohë ka shprehur gatishmërinë për të bërë vlerësimin e punonjësve të policisë, bazuar mbi meritat, aftësitë dhe vlerat që ata mbartin.
Teksa ka folur për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falënderuar të pranishmit, duke mos harrur zotimi për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa nuk la pa përmendur edhe rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët rajonalë në përmbushjen sa më të mirë të punës përballë sfidave të reja.
Kryeministri Rama ka firmosur vendimin për Ardi Veliun, i cili është propozuar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ndërsa vjen si pasues i ish-drejtorit Haki Çako, ku ndaj të cilit nuk kanë munguar akuzat në lidhje me punën e kryer në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij, Veliu theksoi se Policia e Shtetit është institucioni më i besuar nga qytetarët, ndërsa shtoi se ka nevojë për burime të tjera njerëzore për ta çuar përpara punën e efektivëve blu.
Ai nuk la për përmendur dhe policët e rënë në krye të detyrës, ndërkohë u zotua për të mbajtur lart dhe me nderin flamurin e Policisë së Shtetit.
“Në emër të gjithë policive të rënë, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e policisë së shtetit” shtoi Veliu.
“Sot më është besuar detyra e rëndësishme e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit. Çdo oficer policie e ëndërron këtë ditë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar edhe unë, por sot e shoh si sfidën e jetës time. Unë e di që nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni dhe jam i ndërgjegjshëm se organizata e policisë, është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri. Policia e shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore. Do të vlerësohet punonjësi i policisë që është më i përkushtuar” – vijoi ai
Fjala e Drejtorit të Ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu.
I nderuar Z. Ministër!
Të nderuar kolegë!
Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë. Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë. Përgjegjësia ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndaj besimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj meje, në këtë moment që ndodhet rendi dhe siguria publike, në Shqipëri, më angazhon mua për të dhënë maksimumin e përkushtimit tim, për të përmbushur me sukses këtë mision.
Unë e di qe nuk jam vetëm në realizimin e këtij misioni. E po kështu jam i ndërgjegjshëm që organizata e policisë është institucioni më i besuar nga publiku në Shqipëri.Jam i vendosur të punoj me përkushtim së bashku me ju kolegë të nderuar për të realizuar të gjitha objektivat e vëna nga Qeveria Shqiptare, në drejtim të përmirësimit të situatës së rendit e sigurisë si edhe përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të organizatës së policisë në publik.
Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik në të gjitha nivelet, për të qenë më rezultative në realizimin e të gjitha strategjive të miratuara për rendin. Dhe kjo do të ndodhë.
Ka nevojë për një ristrukturim të efektshëm si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor.Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më efiçent të burimeve njerëzore.Ne polici nuk mungojnë njerëzit e kualifikuar e profesionistë, po ata jo gjithmonë kanë qenë në vendin e duhur.
Vënia në efiçencë e kapaciteteve njerëzore, trajnimi i tyre i mëtejshëm, ngritja në vazhdimësi e kapaciteteve të reja, vlerësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i punës së punonjësve të policisë, do jetë objektivi kryesor i punës së policisë në të ardhmen.
Do ti kushtojmë vëmendje trajtimit të personelit për ti bërë ata më të motivuar e përkushtuar për të realizuar objektivat.Do të vlerësohet punonjësi i policisë, i cili është më i përkushtuar dhe më rezultativ. Menaxhimi me efiçence i burimeve financiare, logjistike si edhe përmirësimi i vazhdueshëm i teknologjisë do të jetë fokusi i punës së Policisë që unë do të drejtoj me përkushtim.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin shumë të vlefshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të arritur në një polici të standardeve perëndimore.
Do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjithë partnerët e sferës profesionale e shoqërore në vend, duke mos harruar asnjëherë se policimi është një profesion ku duhet të kontribuojnë të gjithë.
I nderuar Z. Ministër!
Besimi, që Qeveria Shqiptare pati për të më ngarkuar këtë detyrë, më vë para një përgjegjësie shumë të madhe, të cilën unë do të mundohem ta justifikoj duke e drejtuar organizatën e Policisë drejt sfidave që kërkon koha, së bashku me kolegët e mi.
Ju faleminderit Z. Ministër! Ju faleminderit kolegë!