Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se marrëveshja me Greqinë për emrin e ish-republikës jugosllave do të zgjidhej përfundimisht qershorin e ardhshëm.
Këtë deklaratë Zaev e bëri për televizionin bullgar “Nova”, ku shtoi se marrëveshja e mundshme do t’i nënshtrohej një referendumi në Maqedoni.
“Një arritje e tillë do t’i mundësonte Maqedonisë që të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e 11-12 korrikut”, theksoi Zaev.
Deklaratat e Zaevit vijnë pas përfundimit të misionit në Athinë dhe Shkup të ndërmjetësit të OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz, shkruan ata.
Madje, Zaev deklaroi se kishte shpresë që kjo marrëveshje e pranuar nga të dyja palët, të ruante dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve grekë dhe maqedonas.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një miqësi e sinqertë dhe e fortë mes dy vendeve”, theksoi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev për televizionin bullgar “Nova”.