Partizani e ka nisur mjaft mirë vitin e ri në fushë edhe pse rezultatet nuk kanë folur në favor të të Kuqve. Dy ndeshje përballë një kundërshtari të fortë si Flamurtari kanë treguar se rendimenti i lojës që po prodhon ekipi edhe pse me shumë ndryshime është për tu vlerësuar dhe një shenjë që Partizani po rikthehet. Por në dy sfida të humbura në Vlorë janë pretenduar shumë parregullsi nga të cilat është ndikuar drejtpërdrejt rezultati i ndeshjes.
Në ndeshjen e parë tekniku i Partizanit, Sulejman Starova, pas akordimit të 11-metërshit në sekondat e fundit të takimit nga Enea Jorgji u acarua dhe pati një reagim të ashpër. Për këtë arsye ai u pezullua me 8 ndeshje, që është edhe dënimi maksimal që mund të jepej. Po ashtu në përballjen e Kupës së Shqipërisë “Demat e kuq” janë mposhtur në Vlorë me rezultat 1-0, por edhe në këtë sfidë është anuluar një gol që ishte i rregullt i Prognit në minutat e para.
Tekniku Sulejman Starova i kontaktuar nga Tirana Today, ka sqaruar vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe pse ai është i ekzagjeruar, pse dy ndeshjet përballë Flamurtarit nuk kanë përfunduar në rezultatin real dhe çfarë ka ndryshuar tek Partizani pas merkatos. Starova la një koment edhe sa i përket zgjedhjeve në FSHF, ku u shpreh se sheh parregullsi.
Si e komentoni vendimin e ashpër të Komisionit të Disiplinës?
Ky është një vendim maksimal dhe i ekzagjeruar, pasi për atë çfarë ndodhi në Vlorë ata mund të jepnin nga 6 në 8 javë pezullim dhe vendosën për maksimumin. Mbajë përgjegjësi për atë që ndodhi, pasi dhe 6 sekonda na ndanin nga fundi i takimit dhe arbitri akordoi një penallti për një faull të pavullnetshëm, që të gjithë opinionistët sportivë e kanë kundërshtuar atë vendim.
Kjo tregon që acarimi im ishte i pranueshëm, pasi për 6 sekonda ne humbëm një pikë të merituar që do të na shërbente shumë. Nga ana tjetër unë di t’iu them që kolegë të mi janë futur deri në mesin e fushës dhe kanë bërë veprime më të mëdha dhe janë dënuar me 4 javë ose nuk janë dënuar fare. Vendimin do ta apelojmë dhe të shohim çdo të ndodhë, u shpreh Starova për Tirana Today.
Dy ndeshje dy humbje me Flamurtarin, çfarë ndodhi në Vlorë?
Di të them që në të dyja ndeshjet Partizani ishte dominues në lojë dhe shumë i rrezikshëm, por për fat të keq kanë qenë arbitrat që kanë vendosur fatin e takimit me tendencë apo jo. Në ndeshjen e parë vendosi ajo penallti inekzistente, ndërsa në përballjen në Kupë u përsërit i njëjti episod. Gjyqtari Meta akordoi një faull në minutat e para që jo vetëm ne si klub e kundërshtojmë, por të gjithë opinionistat, në të gjitha mediat po flitet që ishte gol i rregullt. Bardhi ishte duke sulmuar dhe është portieri i Flamurtarit që ndërhynë dhe topi i përplaset në kurriz, më pas kthehet në këmbët e Prognit i cili e dërgon në rrjetë.
Është absurde që të vërshëllesh për faull në një aksion të tillë që sulmuesi nuk kishte si të bënte faull, është e papranueshme. Një gol në minutat e para do të ishte një avantazh i madh për ne, pasi ata edhe pse janë një ekip i formuar që në fillim të sezonit nuk arritën të ndërtonin një sulm të rrezikshëm. Nuk patëm fat edhe më pas kur topi preku shtyllën, e më pas u ndëshkuam nga një gabim njerëzor. Një barazim 1-1 në ndeshjen e Kupës në transfertë do të ishte si një fitore. Edhe Bulku në një analizë që po bëhej në një emision televiziv i dha të drejtë fjalë së Dalipit se ai ishte një gol i rregullt dhe nuk ka asnjë shpjegim pse u anulua.
Largimi i senatorëve, çfarë ndryshon tek Partizani?
Nuk ka diskutim për largimet, jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion. Në dy ndeshje kemi treguar një nivel të lartë dhe kemi dominuar lojën përballë një kundërshtari të vështirë. Kemi parë paraqitje të mirë të brazilianit Kardoso i cili vetëm një javë ka që stërvitet me ne, por edhe Bardhi me Prognin kanë treguar një nivel loje të lartë. Pavarësisht se thonë që nuk janë sulmues të mirëfilltë, me rikthimin e Canit dhe përshtatjen e lojtarëve të rinj do të jemi më të fortë. Nëse do të bëjmë një krahasim mund të themi që Bardhi sot ishte superiorë ndaj sulmit të Flamurtarit, pasi Busic nuk preku asnjë top.
Ajo që kemi parë në fushë në dy ndeshjet që sapo lamë pas, pavarësisht rezultatit është Partizani më i fortë i këtij kampionati dhe do të vazhdojë të përmirësohet. Kalendari na favorizon në katër ndeshjet e radhës, pasi do të provojmë veten përballë Kamzës, Laçit, Flamurtarit në Kupë dhe në fund Kukësit. Një mundësi e mirë për të rikuperuar formën dhe disa pikë të cilat do të na ndihmojnë shumë.
Një koment për zgjedhjet në FSHF?
Nuk është se jam shumë i përfshirë në këto zgjedhje pasi mendjen e kam tek ekipi dhe të përmirësohemi më shumë. Por mund të them që kamë vënë re parregullsi në funksionimin e FSHF-së, tha Starova për Tirana Today.
Eno Leka, TIRANA TODAY