Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati është takuar me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn në Davos të Zvicrës, ku po mbahet Forumi Ekonomik Botëror.
Mësohet se në këtë takim të shkurtër është diskutuar për strategjinë dhe hapat e mëtejshëm të Shqipërisë, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, i cili shkruan në një postim në Facebook se së bashku me Hahn diskutuan kalendarin politik të Komisionit Evropian me Shqipërinë dhe ecurinë e reformave shtet-konsoliduese, ndërsa thekson se 2018-a do të jetë vit përcaktues për ecurinë e mëtejshme të vendit në procesin e integrimit evropian:
“Në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn, diskutuam kalendarin politik të Komisionit Evropian me Shqipërinë dhe ecurinë e reformave shtet-konsoliduese. 2018 është vit përcaktues për ecurinë e mëtejshme të vendit tonë në procesin e integrimit europian. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE nuk është as për qeverinë e as për opozitën, por për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan Bushati.
Ndërkohë, ky takim është publikuar edhe nga komisioneri Hahn, me anë të një postimi në Twitter:
Good to touch base w @ditmirbushati @AlbanianDiplo @wef @Davos, discussing next #EU steps w #Albania, forthcoming W #Balkans Strategy and regional relations. #wef18 #EUatDavos @eu_near pic.twitter.com/c5NtWD2HdB
— Johannes Hahn (@JHahnEU) January 26, 2018