Edhe pse shorti i rezervoi Kombëtares shqiptare kundërshtarë të fortë, kjo gjë nuk e ka ulur optimizmin e lojtarëve shqiptarë për të dalë të parët. Mavraj, Hysaj dhe Sadiku, duke u cilësuar si tre shtyllat e ekipit kanë komentuar shortin dhe kanë treguar se Shqipëria me eksperiencën që ka fituar di si të përballet edhe me kundërshtarë të fortë.
Mërgim Mavraj: “E kemi treguar me Izraelin që jemi në një gjendje më të mirë se ata. Kemi një borxh që duhet ta shlyejmë. Sfida me Skocinë është një aventurë e re. Do të jetë një duel i madh dhe ashtu si në ndeshjet e tjera të mëdha, me mbështetjen e shqiptarëve në Britani mund t’ia dalim. Besoj se mund të arrimë fitore në të dyja ndeshjet. Është mundësi shume e madhe për ne, por edhe për kundërshtarët që kemi besoj se mund t’ia dalim. Kam një shok të ngushtë në ekip, lojtar të Izraelit. Kosova nuk ka arritur ende në nivelin tonë dhe është normale të ketë rivalë më të dobët”.
Elseid Hysaj: “Tani po luajmë shumë mirë me të gjitha skuadrat, nuk ka më diferenca në paraqitjet tona, me të mëdhatë apo të voglat. Mendoj se shorti është shumë i mirë, do të punojmë fort për t’ia dalë mbanë. Izraeli e Skocia janë ekipe të forta, por kemi mundësi të mëdha të kualifikohemi. Skocia? Është pak e vështirë, kanë një stil të ndryshëm loje dhe mjaft agresiv, por mendoj se do të kemi kohë të përgatitemi dhe ta studiojmë këtë kundërshtar. Problemet me Izraelin në ndeshjen e kaluar? Nuk besoj se do të ketë sërish probleme të tilla, do të jenë ndeshje shumë të bukura”.
Armando Sadiku: “Çdo ekip është i vështirë në ditët e sotme nuk ka ekipe të lehta. Nëse do ti vlerësojmë maksimalisht të dyja ndeshjet do të kemi sukses, ashtu siç bëmë në Izrael dhe në Turqi. Shikoj gjithmonë përpara dhe shpresoj të vazhdoj të shënoj sa më shumë gola për Kombëtaren. Sa herë vesh fanellën kam një ndjesi shumë të veçantë dhe dua të ndihmoj kombin tim”.