Duket se tritoli është rikthyer sërish në modë, por këtë herë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Brenda 3 orësh janë shënuar dy shpërthime me tritol, të vëna në automjete, konkretisht në një furgon dhe në një Audi. Ngjarjet kanë ndodhur në Gjirokastër dhe në Vlorë.
Rasti në Gjirokastër:
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45, në lagjen Dunavat. Mësohet se një sasi tritoli ka qenë vendosur në brendësi të banesës së Gentian Litit në pjesën veriore të kësaj lagjeje duke shkaktuar lëndime të lehta në kokë të këtij të fundit, si dhe dëme në materiale në furgonin e tij.
34-vjeçari Liti është dërguar në spitalin e Gjirokastrës, i cili pas mjekimit është rikthyer në banesë.
Në momentin e shpërthimit, të pestë anëtarët e familjes Liti, kanë qenë në brendësi të banesës dhe fatmirësisht askush prej tyre nuk kanë pësuar asnjë dëmtim fizik, përveçse Gentian Litit.
Policia ka marrë në pyetje të dëmtuarin, anëtarët e tjerë të familjes Liti, si dhe komshinj. Pista e vetme ku heton grupi hetimor i ngritur me këtë rast, është ajo e një konflikti mes Gentian Litit dhe personave të tjerë të dyshuar që përbëjnë sekret hetimor.
Sasia e lëndës shpërthyese mendohet të ketë qenë gati 100 gram, ndërkohë që oshëtima e shpërthimit u dëgjua gati 1.5 km larg.
Informacion paraprak:
Rreth orës 23:45, njoftohemi se në hyrje të banesës së shtetasit A.L, në lagjen “Dunavat i Dytë”, Gjirokastër, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Si pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi G.L, 34 vjeç,(i biri i shtetasit A.L), si dhe dëmtime materiale të banesës. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja në Vlorë:
Pak orë pas shpërthimit në Gjirokastër, një tjetër shpërthim e tritol ka ndodhur në VLorë, rreth orës 02:10, në lagjen “10 Korriku”.
Sipas policisë së Vlorës, lënda eksplozive ishte vendosur në automjetin me tip “Audi”, në pronësi të shtetasit me inicialet S.B, 64 vjeç.
Informacion paraprak:
Më datë 24.01.2018, rreth 02:10, në lagjen “10 Korriku”, i është vendosur lëndë eksplozive automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit S.B., 64 vjeç.
Mjeti ka qenë i parkuar pranë banesës dhe ka dëmtime në pjesën e përparme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ve.