Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpjeguar çështjet më të ndjeshme. Ai foli për themelimi i Gjykatës Speciale, qëndrimet e deputetëve për demarkacionin si dhe vullnetin kushtetues të institucionet që ai drejton.
Presidenti Thaçi ka ritheksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë qenë ndonjëherë kundër sistemi të drejtësisë, por përkundrazi atë e kanë kërkuar me ngulm, ndërsa rikujton se Kosova është shembulli më i mirë i bashkëpunimit në Ish-Jugosllavi me Tribunalin e Hagës.
“Realisht Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë. Kosova ka dëshmuar bashkëpunimin më të mirë prej të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës, duke u dorëzuar vullnetarisht në akuzat e para që kanë ndodhur edhe pse janë dëshmuar përsëri si të pafajshëm të gjithë të akuzuarit”-theksoi Thaçi.
Ai tha se edhe opinionet negative që kanë qenë edhe kundërshtuese edhe armiqësore të vitit 2015 i ka kuptuar dhe respektuar si debat demokratik. Presidenti Thaçi i pyetur se a do të ishte i gatshëm të nënshkruante nëse Parlamenti do të votonte kundër Gjykatës Speciale, ndërsa ai tha se shkelje ligjore do të ishte nëse nuk do ta kishte firmosur apo dekretuar. Ai tha se nuk kthen mbrapsht vullnetin e deputetëve të Parlamentit.
“Unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve”-shprehet Thaçi.
Ndërkohë Thaçi ka folur edhe për vijën kufitare me Malin e Zi, ndërsa ka theksuar se Kosova duhet të shpejtojë në këtë proces pasi do të ishte shumë hap i vonuar i Kosovës në rrugën dhe prespektivën evropiane.Sipas Thaçit, kjo iu takon deputetëve të Kosovës për të marrë vendimin, ndërsa ai pranoi se nuk mund të dalë mbi parlamentin për asnjë çështje duke shprehur se respekton 100% vendimet e tij.
“Gjykata e Posaçme është çështje ku vendimin e ka marrë parlamenti i Kosovës dhe tani u takon partive politike të përfaqësuara në parlament që të shprehin vendimin e tyre; pushtetet janë të ndara dhe unë nuk dal mbi parlamentin, as nuk përzihem në parlament por i respektoj vendimet e parlamentit botërisht dhe një qind për qind. Pajtohem politikisht apo jo, unë e kam këtë obligim ligjor. Sa i përket çështjes së kufirit me Malin e Zi, kjo duhet të kryhet, është e saktë, e qartë, precize e punuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe vlerësuar prej të gjithëve; çdo vonesë, në veçanti në javët e ardhshme, do të jetë shumë goditëse për perspektivën evropiane të vendit”-tha ndër të tjera Thaçi.