5 Janar 1968 – Në Çekosllovaki nis “Pranvera e Pragës”
Antonin Novotny, sundimtari stalinist i Çekosllovakisë, zëvendësohet në postin e tij si Sekretar i Parë i Partisë Komuniste nga Alexander Dubcek, një sllovak që mbështeste reformat liberale. Në muajt e parë të sundimit të tij, Dubcek ndërmorri një sërë reformash të gjera politike dhe ekonomike, duke përfshirë zgjerimin e lirisë së fjalës dhe rehabilitimin e disidentëve politikë.
Përpjekja e Dubcek për të krijuar “komunizmin me fytyrë njerëzore”, u kremtua në mbarë vendin, dhe periudha e shkurtër e lirisë u bë e njohur si “Pranvera e Pragës”.
Më 20 gusht 1968, Bashkimi Sovjetik iu kundërpërgjigj reformave të Dubcek, me pushtimin e Çekosllovakisë nga 600.000 trupa të Paktit të Varshavës. Praga nuk qe e gatshme të dorëzohej, por rezistenca e fortë e studentëve ishte tërësisht e pamjaftueshme përballë tankeve sovjetike. Reformat e Dubcek u shfuqizuan, dhe vetë udhëheqësi u zëvendësua me Gustav Husak, një pro-sovjetik, i cili rivendosi një regjim komunist autoritar në vend.
Në vitin 1989, kur qeveritë komuniste në Evropën Lindore u rrëzuan apo dhanë dorëheqjen, Praga u bë sërish skenë e demonstratave për reforma demokratike. Në dhjetorin e vitit 1989, qeveria e Husak pranoi kërkesat për një parlament shumëpartiak.
Ai dha dorëheqjen, dhe për herë të parë në dy dekada Dubcek u rrikthye në politikë si kryetar i parlamentit të ri, i cili më pas zgjodhi dramaturgun Vaclav Havel si president të Çekosllovakisë. Havel ishte bërë i njohur gjatë “Pranverës së Pragës”, dhe pas ndërhyrjes ushtarake sovjetike, dramat e tij u ndaluan të shfaqeshin, dhe pasaporta iu sekuestrua për të mos dalë jashtë vendit.
5 Janar 1976 – Pol Pot i jep një emër të ri Kamboxhias
Kreu i Khmërve të Kuq, Pol Pot, shpall një kushtetutë të re që ndryshon emrin e Kamboxhias në Kampuçea, dhe legalizon qeverinë e tijkomuniste. Gjatë tre viteve të ardhshme regjimi i tij brutal e dërgoi kombin në Mesjetë, dhe ishte përgjegjës për vdekjen e rreth 2-3 milionë kamboxhianëve.
Pol Pot, i lindur në Salot Sar në vitin 1925, në një familje kamboxhiane relativisht të pasur, u përfshi në lëvizjen komuniste që në moshë të re, kur studionte në Paris. Pasi u rrikthye në shtëpi në Kamboxhia, e cila sapo kishte fituar pavarësinë nga Franca në vitin 1954, ai u ngjit në radhët e Partisë Komuniste vendase.
I ndikuar nga Mao Ce Duni, shkoi të jetonte në xhungël me një grup mbështetësish. Sundimtari i Kamboxhias, Princi Norodom Sihanuk, u rrëzua në një grusht shteti pro-amerikan në vitin 1970 dhe Khmerët e Kuq, me ndihmën fillestare të komunistëve vietnamezë, filluan një luftë civile kundër qeverisë së re të Lon Nol.
Në prillin e vitit 1975, pas 5 vjetësh luftimesh të egra, guerriljet e Pol Pot hynë në kryeqytetin kamboxhian, Phnom Pehn. Përpjekja absurde e tij për të ndërtuar një utopi agrare bujqësore me bazë fshatare, u shndërrua në një mbretërim të shfrenuar të terrorit dhe gjenocidit.
Në dhjetor 1978, Vietnami pushtoi Kamboxhian. Pol Pot u arratis në Tajlandë dhe kaloi pothuajse dy dekada duke u fshehur në xhungël, i mbrojtur nga guerriljet dhe ushtria tajlandeze. Në vitin 1997, pas një lufte të brendshme për pushtet, Pol Pot u arrestua nga anëtarët e partisë së tij me akuza për tradhëti. Ai vdiq nga shkaqe natyrore më 15 prill 1998, pa u përballur asnjëherë me drejtësinë për krimet e tij.
5 Janar 1945 – Pilotët japonezë marrin udhrat e parë për t’u bërë kamikaze, që në gjuhën japoneze do të thotë “erë hyjnore”. Lufta vetëvrasëse e kamikazeve, nxorri në pah dëshpërimin e Japonisë në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Shumica e pilotëve japonezë kishin vdekur, por të rinjtë kishin nevojë për trajnim të vogël, për të ngritur avionët të mbushur me eksplozivë, dhe përplasur ata mbi anijet e armiqve. Në Okinava, ata u fundosën 30 anije, dhe vranë afro 5.000 amerikanë.
5 Janar 1757 – Luigji XV i Francës, i mbijeton një atentati nga Robert-Fransua Damien, personi i fundit që do të ekzekutohet në Francë duke iu copëtuar trupi pjesë-pjesë, forma tradicionale dhe e tmerrshme e dënimit kapital, që përdorej për vrasësit e mbretërve.
5 Janar 1709- I ftohti ekstrem në Evropë, i merr jetën mbi 1000 personave.
5 Janar 1840- Anglia shënon një rekord sa i përket numrit të bordellove të liçensuara, me plot 95.820 të tilla.
5 Janar 1882 – Çarls J. Gito shpallet fajtor për vrasjen e presidentit amerikan Xhejms A. Garfilld, dhe dënohet me vdekje, me varje në litar.
5 Janar 1895 – Oficeri i ushtrisë franceze, Alfred Drejfus, përjashtohet nga ushtria, dhe dënohet me burgim të përjetshëm në Ishullin e Djallit.
5 Janar 1911 – Portugalia vendos të përjashtojë nga vendi Urdhrin e Jezuitëve.
5 Janar 1919 – Themelohet Partia Gjermane e Punëtorëve, e cila do të bëhet më vonë Partia Naziste.
5 Janar 1957 – Në një fjalim të mbajtur në Kongres, presidenti amerikan Duajt Ajzenhauer njofton themelimin e asaj që më vonë do të quhet “Doktrina Ajzenhauer”.
5 Janar 1970 – Një tërmet i fortë me magnitudë 7.1 ballë të shkallës Rihter, godet provincën Junan në Kinë. Ndërmjet 10-15 mijë njerëz mbetën të vdekur, dhe mbi 26 mijë të tjerë u plagosën.
5 Janar 1991 – Forcat gjeorgjiane hyjnë në Tskhinvali, kryeqytetin e Osetisë së Jugut në Gjeorgji, duke nisur Luftën e Osetisë Jugore të viteve 1991-1992.
5 Janar 2015- Varri i një mbretëreshe egjiptiane, Khentakaues III, zbulohet nga një ekip arkeologësh çekë. Mbretëresha kishte jetuar gjatë Dinastisë së Pestë, dhe ishte me shumë gjasa gruaja e Faraonit Neferefre.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce