Conor McGregor,nuk pritet të rikthehet në ring para verës së 2018-ës. Kampioni i botës në artet marciale mikse në peshën e lehtë nuk ka vendosur akoma asnjë datë apo përballje dhe kjo e bën të pasigurt rikthimin e tij edhe këtë vit. Irlandezi duket se kërkon shuma të mëdha parash për t’u rikthyer në kafaz, gjë të cilën UFC-ja nuk mund t’ia plotësojë. Por duket se pritja do të marrë fund dhe presidenti i UFC-së, Dana White, ka bërë me dije se nuk do të presin shumë gjatë kampionin irlandez të MMA-së, dhe se do të kërkojnë talente të rinj nëpër botë.
“Nëse Conor do të duelojë këtë vit, do të jetë fantastike. Nëse ai nuk do të duelojë, UFC-ja do të vazhdojë përpara pa të. Kam që nga viti 2003 që i dëgjoj gjëra të tilla. Çfarë do të bësh pasi të largohet Chuck Liddell? Çfarë do të bësh pasi të largohet Georges St-Pierre? Çfarë do të bësh pasi të largohet Ronda Rousey? Viti 2017 ishte viti më i suksesshëm për UFC-në, ndaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë e gjejmë talente të reja në gjithë botën. UFC-ja nuk është vetëm e një personi”, tha Dana White.