Armando Cungu është një ndër trajnerët më të mirë në kampionatin shqiptarë dhe ndër më të kërkuarit. Momentalisht ai është pa ekip që nga momenti që u largua nga Vllaznia. Por nuk mungojnë ofertat në drejtim të tij, pasi Kukësi, Partizani, disa ekipe nga Supeliga e Kosovës dhe së fundmi është folur dhe Skënderbeu po kërkojnë shërbimet e shkodranit.
44-vjeçari ka sqaruar situatën në të cilën ndodhet në një intervistë për “eds” pas dy muaj heshtjeje, se ka disa oferta në takim të tij dhe takimin e fundit që ka pasur me presidentin e korçarëve Ardian Takaj.
Profesor pse keni qëndruar i heshtur këtë kohë?
E kam pasur të nevojshme për veten dhe familjen. Kam folur dhe më keni komentuar kaq shumë te Vllaznia saqë mendova të hesht këto dy muaj (qesh).
Pse është e vështirë të punosh te Vllaznia?
Nuk është e vështirë është bukur! Por, momentalisht kështu siç funksionon është e vështirë (thuajse e pamundur). Më ra mua për hise, siç i themi ne në Shkodër. U mundova me të gjitha mundësitë e mia por… Heshtja ka pasur të bëjë edhe në respekt të emrit të Vllaznisë. Nuk duhet të flas keq për Vllazninë por më duhet ta mbroj atë emër, edhe pse mua nuk më mbrojti askush.
Në media kanë qarkulluar emrat e klubeve si Partizani, Kukësi dhe ekipe nga Kosova. Keni pasur ndonjë ofertë konkrete deri më tani nga këto ekipe?
Është e vërtetë që kam pasur oferta dhe kam oferta por disa ekipeve u kam kthyer përgjigje për “jo” por ka të tjera që po i mendoj. Përfitoj nga rasti nëpërmjet teje të shpreh falënderim për të gjithë ato ekipe që kanë shprehur dëshirën të jem unë trajneri i tyre, sidomos ekipet elitare. Për mua është respekt dhe nder i madh. U jam mirënjohës.
Është lakuar edhe emri i Skënderbeut?
Para një viti e gjysmë kam pasur ofertë zyrtare nga presidenti Takaj por preferova ti qëndroj besnik dhe korrekt Vllaznisë. Ndërsa tani nuk ka asgjë të vërtetë rreth kësaj, thjesht kemi pirë një kafe mes miqsh. Ka qenë vetëm respekt reciprok mes nesh.
Ku do ta shohim Cungun në vijim?
Të gjithë festojnë dhe pushojnë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Ne të sportit privohemi shpesh. Kësaj radhe kam mundësinë dhe dëshirën ti shijoj pushimet me familjen. Ndoshta Babagjyshi i Vitit të Ri ka ruajtur ndonjë dhuratë. (qesh) Do të shohim, do t’iu informoj.
Do të na zbuloni ndonjë emër klubi…
Mua më pëlqen ti respektoj njerëzit, po kështu edhe klubet. Kështu që nëse ma lejon nuk kam dëshirë ti bëj prezent.