Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi dhe këshilltari për Pushtetin Lokal, Ylli Asllani kanë shkuar këtë të diel për vizitë në familjen e Florenc Beqiraj, në Shkodër, të riut shqiptar që gjeti vdekjen në Francë.
Në një njoftim nga zyra e kreut të shtetit thuhet se Blushi dhe Asllani i përcollën familjes Beqiraj ngushëllimet e Presidentit Ilir Meta.
Ata u thanë familjarëve të të riut se Meta po bën çmos për të sjellë trupin e 23-vjeçarit në Shqipëri dhe se ka patur kontakt të pandërprerë me autoritetet shqiptare dhe franceze. Presidenti mësohet se ka kërkuar sqarime të plota për rrethanat që çuan në vdekjen e Florencit
Nga ana e saj nëna e të riut, sipas njoftimit të presidencës, falenderoi Presidentin Meta dhe u shpreh se ai është i vetmi zyrtar që i ka qëndruar pranë dhe i ka ofruar ndihmë familjes Beqiraj. “Veç Presidentit, asnjë institucion nuk na ka ndihmuar“, mësohet të jetë shprehur nëna e të riut të ndjerë.