Cleveland Cavaliers tashmë nuk përmbahen më në rrugën drejt kreut të klasifikimit të Konferencës së Lindjes në NBA. Skuadra nga Ohajo mundi Washington Wizards 106-99, me LeBron James që e mbylli takimin me 20 pikë, 12 topa në tabelë e 15 asist. Sfida me Wizards nuk ishte aspak e lehtë për nënkampionët që hasën në një rivalitet të madh me Washingtonin. Në çastet e fundit, Cleveland bëri diferencën në parket falë Kevin Love, i cili “shpërtheu” në parket teksa shënoi 25 pikë, ndërkohë që Lebron James spikati edhe për diçka tjetër. “The King” zbriti në fushën e lojës i veshur me dy këpucë të ndryshme, një të bardhë e një të zezë që kishin edhe mbishkrimin “Barazi”.
Detroit regjistroi fitoren e tretë radhazi dhe thellon krizën e Orlando Magic. Skuadra e Pistons e fitoi përballjen me rezultatin 114-110. Detroit e nisi në mënyrë të shkëlqyer sfidën, teksa krijoi një avantazh prej 17 pikësh, por Orlando reagoi dhe për pak sa nuk shkaktoi befasinë në periodën e katërt, duke e shkurtuar ndjeshëm disavantazhin me Detroit që mundi të ruajë këtë sukses. Në ndeshjet e tjera të NBA, Brooklyn u mund nga Indiana Pacers 97-109, ndërsa Toronto Raptors fitoi me Sacramento Kings 108-93.