Fushata zgjedhore në Preshevë është shoqëruar me incidente. Së fundmi, denoncimi vjen nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila akuzon policinë serbe se nuk ka lejuar vendosjen e flamujve shqiptarë në shtylla.
Në një reagim, PDSH akuzon se pas këtij urdhri fshihen zyrtarë të Alternativës për Ndryshim.
REAGIMI I PDSH:
Partia Demokratike Shqiptare reagon fuqishëm ndaj ndërhyrjes së policisë serbe në pengimin e aktiviteteve parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të 24 dhjetorit, ku në mënyrë flagrante tentohet të pengohen zgjedhjet e lira dhe demokratike në Komunën e Preshevës.
Gjatë aktiviteteve të radhës në fushatën parazgjedhore të Partisë Demokratike Shqiptare, zyrtarët dhe aktivistët e sajë u ndaluan nga policia serbe me rastin e vendosjes së flamujve të Partisë në shtyllat elektrike. Kryetari i shtabit zgjedhor Ilir Sadriu, gjegjësisht nënkryetari i PDSH-së së bashku me disa aktivist, u ndalua dhe u shoqërua për në stacionin policorë me rastin e vendosjes së flamujve të Partisë nëpër shtyllat elektrike në rrugën “15 Nëntori” në Preshevë.
Nuk është hera e parë që aktivistët e PDSH-së, pengohen nga institucionet shtetërore gjatë aktiviteteve të tyre në fushatën parazgjedhore, por kësaj radhe të porositur nga vazalët e tyre zyrtarë të lartë të Partisë Alternativa për “Ndryshim” me qëllim të pengimit të aktiviteteve të PDSH-së.
Ndërhyrja e policisë serbe dëshmon një akt shumë të ulët dhe qyqar të porositur nga eksponentët e AP”N”-së si rezultat i ndjenjës së panikut nga humbja plebishitare e 24 dhjetorit. Kordinimet e AP”N”-së me organet shtetërore (rasti i përbërjes së organit të dhunshëm, rasti i ndërprerjes së energjisë elektrike) dhe ky i fundit, për të penguar dhe frikuar aktivitetet e PDSH-së, nuk do të trembin dhe hutojnë asnjë simpatizant, aktivist e anëtarë të PDSH-së, por përkundrazi forcojnë edhe më tej bindjet dhe qëndrimet e tyre se PDSH është në rrugën e duhur dhe këtë do ta dëshmoj edhe me vullnetin e tyre popullor.
PDSH bën apel tek të gjithë anëtarët dhe simpatizuesit e saj që të mos bien pre e provokimeve të ngjarjeve që mund të ndodhin edhe në pjesën e mbetur të fushatës parazgjedhore, ku të gjitha këto akte anti demokratike dhe antishqiptare do ti stopojmë me votën masovike në datën e 24 dhjetorit, duke votuar për Preshevën shqiptare.
Në Preshevë, 13.12.2017
Shërbimi për informim
i Partisë Demokratike Shqiptare