Dje është dhënë vendimi përfundimtar i Gjykatës Themelore në Prishtinës për ish-ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili akuzohej krim të organizuar, shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.
Trupi gjykues, e ka shpallur të pafajshëm Limajn, në të gjitha pikat e akuzës, derisa Endrit Shala e Nexhat Krasniqi u liruan nga pika e parë e akuzës për krim të organizuar, të dytën për shpërdorim detyre dhe të tretën për marrje ryshfeti. Ky vendim vjen pas tetë vjetësh procedurë gjyqësore ndaj Limajt.
E gjithë këtë proces, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava e ka quajtur të çuditshëm dhe të stërzgjatur. Ai duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rasti Limaj, bëhet edhe më i çuditshëm, kur kihen parasysh akuzat e forta të ish-gjyqtarit të EULEX-it drejtuar këtij misioni.
Sipas Tërnavës, epilogu i gjykimit të Limajt ka ardhur, si pasojë e gjykatës së EULEX-it, për të cilin siç ka thënë ai, ka shumë akuza se është i kriminalizuar.
Tërnava: Lirimi i Fatmir Limajt, është një proces i çuditshëm dhe i stërgjatur, e sidomos kur është fjala që kjo gjykatë ishte nga EULEX-i dhe pranë shumë vazhdimeve për të satën herë, e lirojnë të pafajshëm. Para pak ditësh, opinioni dëgjoi fjalë dhe akuza të forta të një gjyqtari të EULEX-it, i cili dha dorëheqje dhe i cili u deklarua se nuk do më të marrë pjesë në një gjykatë ndërkombëtare, sikur që është EULEX në Kosovë, që është i kriminalizuar dhe i lidhur me mafinë e Kosovës. Të njëjtën gjë e kishte thënë një prokurore, po e këtij gjyqi, që ishte larguar nga kjo gjykatë para disa vitesh. Nëse gjykata e EULEX-it, është kriminalizuar qysh më parë, edhe ky gjykim kështu është dashur të ndodhë.
Eksperti i sigurisë, në fund ka komentuar edhe për akuzat e Limajt drejtuar “shokëve të luftës” për montim të rastit. Ai ka pyetur se nëse Limaj është i pastër, nga e ka fituar gjithë pasurinë në moshë relative jo të vjetër.
Tërnava: U dëgjuan edhe akuzat e Fatmir Limaj, që i akuzonte ish-shokët e vet si Hashim Thaçin e të tjerët, se ia kanë montuar këto gjykime. Për opinionin është e qartë se Kosova është e vogël, dhe fatmirësisht të gjithë njihemi dhe nëse Fatmir Limaj, qenka i pastër, nga gjithë ajo pasuri e tij në këtë moshë relative jo të vjetër, kur të gjithë e dinë pasurinë e tij para luftës?!