Nga Marlise Simons, Alan Cowell dhe Barbara Surk, “New York Times”/Hagë-Ishte ndoshta mbyllja e kapitullit më të turpshëm të mizorive dhe gjakderdhjeve në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Me shpërthimet e tij nervoze brenda dhe jashtë sallës së gjyqit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për krimet e ish-Jugosllavisë, gjenerali Ratko Mlladiç, ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Qe padyshim çështja më e rëndësishme e Gjykatës së Hagës, para se të përfundonte një çerek shekulli që nga nisja e hetimit të disa krimeve. Gjykata vërtetoi se gjatë viteve 1992- 1995, zoti Mlladiç aktualisht 75-vjeç, ishte organizatori kryesor ushtarak i fushatës për të dëbuar myslimanët, kroatët dhe jo-serbët e tjerë jashtë tokave të tyre, dhe për të krijuar një shtet të ri homogjen për serbët e Bosnjës.
Viti më vdekjeprurës i fushatës ishte 1992-shi, kur vdiqën 45.000 njerëz, shpesh në shtëpitë e tyre, në rrugë apo në një varg kampesh përqendrimi. Të tjerë humbën jetën në rrethimin e Sarajevës, kryeqytetin boshnjak, ku snajperët dhe bombardimet terrorizuan banorët për më shumë se tre vjet, dhe në ekzekutimet masive të 8.000 burrave dhe djemve myslimanë, kur forcat e zotit Mlladiç mbërritën në enklavën e Srebrenicës, zyrtarisht në mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.
Duke qëndruar i ulur në bankën e të akuzuarit me një kostum dhe kravatë blu, zoti Mlladiç dukej shumë më i vogël se njeriu i veshur në uniformë ushtarake, që shfaqej herë pas here në televizion për të mbrojtur veten dhe forcat e tij gjatë konfliktit. Në një moment, zoti Mlladiç u largua nga salla, me sa duket për të marrë trajtim mjekësor për shkak të tensionit të lartë.Pasi u kthye, ai filloi t’i bërtiste trupit gjykues, duke e harruar tensionin e lartë. “Ju po gënjeni, po gënjeni, po gënjeni!”- bërtiti ai. Ai u urdhërua të largohej nga forcat e sigurisë. Gjatë shpalljes së vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm, kryetari i trupit gjykues, Alphons Orie, tha se krimet e zotit Mlladiç “renditen ndër më të tmerrshmet që ka njohur njerëzimi”. Avokatët e zotit Mlladiç thanë se do të apelojnë vendimin.
Por nëse ndëshkimi i zotit Mlladiç mbylli njëfarë kapitulli – të paktën ligjërisht – ajo ishte një shenjë ndarëse ambivalente midis epokave të pasigurisë evropiane. Larg nga teatrot e qetë të konflikteve ballkanike, pasionet nacionaliste, zhurma për kufijtë e cunguar dhe përplasjet fetare janë duke gjalluar sërish, këtë herë jo nëpërmjet zhurmës së predhave të mortajave apo breshërisë së mitralozëve, por përmes rivizatimit të peizazhit politik.
Në tetor, Austria u bë vendi më i fundit evropian që u rikthye djathtas, pas Hungarisë dhe Polonisë. Në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë e të djathtës ekstreme, siguroi shumë vota në zgjedhjet parlamentare të shtatorit, duke hyrë për herë të parë në Bundestag. Në shumë vende ka një ndjenjë rebelizmi, nga dëshira separatiste e Katalonjës në Spanjë, tek largimi i planifikuar i Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Disa prej këtyre pasioneve janë nxitur, nga reagimi zemërak i gjermanëve dhe evropianëve të tjerë, ndaj gatishmërisë së kancelares Angela Merkel për të hapur kufijtë e Gjermanisë ndaj qindra mijëra refugjatëve myslimanë nga Siria dhe vende të tjera, shumë prej të cilëve kanë kaluar transit nëpër Serbi, në rrugëtimin e tyre drejt veriut.
Në Britani, shumë nga që votuan në referendumin e qershorit 2016 për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, thanë se e bënë këtë për shkak të pakënaqësisë që kanë nga ndikimi i të huajve mbi fatin e tyre, dhe praninë e atyre që ata i shohin si emigrantët e pakontrolluar evropianë. Në Serbi, po përshkallëzohen thirrjet për një kthim në politikën nacionaliste të viteve 1990. Zyrtarë të lartë të diskredituar nga qeveria barbare e Sllobodan Millosheviçit në Beograd – dhe jo disa kriminelë të dënuar të luftës – po rimarrin pozicione të rëndësishme.
Ekziston gjithashtu ndjenja e një misioni të papërfunduar, dhe pakënaqësive që lufta nuk i realizoi dot. Në fakt, gjyqet e zotit Mlladiç dhe të tjerëve, duke përfshirë edhe mentorin e tij politik Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet burg për akuza pothuajse identike vitin e kaluar, vetëm sa mund të kenë intensifikuar perceptimet në mesin e qytetarëve në Serbi për trajtimin e padrejtë, por dhe ndjenjën e humbjes tek myslimanët.
“Pavarësisht nga vendimi, që ne të gjithë mendojmë se është pjesë e fushatës kundër serbëve, Ratko Mlladiç mbetet një legjendë e kombit serb”- tha Milorad Dodik, kryetari i rajonit autonom serb në Bosnje Hercegovinë, që u spastrua nga jo-serbët nga forcat ushtarake të zotit Mlladiç.
Duke folur për palën myslimane, Sead Numanoviç, një gazetar boshnjak nga Sarajeva, i cili ka luftuar kundër trupave të zotit Mlladiç tha: “Ky vendim, si të gjithë të tjerët, nuk do t’iu kthejë dot djemtë nënave, vëllezërit e vdekur motrave të tyre, apo burrat grave të tyre”.
Ndjenja e viktimizimit mes serbëve, dukej se u përkeqësua të mërkurën nga dënimi i zotit Mlladiç, i cili konfirmoi pretendimet e myslimanëve boshnjakë, se serbët kishin arritur të avanconin ambiciet e tyre territoriale me anë të gjenocidit. “E gjitha kjo duhej të ishte hedhur pas shpine tani”- thotë Hasan Nuhanoviç, një i mbijetuar boshnjak i masakrës së Srebrenicës. “E vetmja gjë pas nesh, është ajo luftë”.
Në të dyja kampet e ndarjes të qëndrueshme etnike, mbizotëronte ndjenja se vendimi i gjyqtarëve të Hagës nuk do të kishte ndonjë ndikim të dukshëm në lehtësimin e jetesës së përditshme të komuniteteve të ndryshme etnike në rajon. Boshnjakët në Sarajevë, që dikur vraponin për t’iu shmangur plumbave të snajperistëve, dhe strehoheshin në bodrume për shkak të bombardimeve të pandërprera dhe pa asnjë pa dallim nga njësitë e artilerisë së zotit Mlladiç nga kodrat përreth qytetit, i kanë shkëmbyer këto rreziqe me një qeveri jofunksionale, papunësinë dhe sistemin në kolaps të sigurisë sociale dhe shëndetësore.
Në Beograd, madhështia e rrënuar e epokës socialiste rikthehet në formën e nostalgjisë për kohët më të mira, kur qyteti ishte kryeqyteti i një Jugosllavie mesatarisht të zhvilluar, me një popullsi prej 22 milionë banorësh, në vend të republikës së varfër që është sot, ndër më të varfrat e Evropës. E shoqëruar me atë luftë, është edhe një kujtesë e vazhdueshme jo vetëm e luftës në Bosnjë dhe Kroaci e viteve të hershme 1990, por edhe të luftimeve të mëvonshme gjatë asaj dekade, në atë që ishte asokohe provinca jugore serbe e Kosovës.
Ende sot, banerat para ndërtesës së parlamentit të Kosovës, shfaqin imazhin e Bill dhe Hillari Clinton, përgjegjës për fushatën e madhe 78-ditore ushtarake të NATO-s, që i detyroi forcat serbe të tërhiqen nga Kosova, duke lejuar më në fund shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Përkundër këtij sfondi të zbehtë, Serbia shpreson të bëhet anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian, edhe pse kjo nuk do të ndodhë më parë se viti 2025.
Duke komentuar vendimin e fundit të Gjykatës së Hagës, Natasha Kandiç, një nga aktivistet kryesore të të drejtave të njeriut në Serbi, tha se me mizoritë në luftën e Bosnjës “ne ndaluam së qeni pjesë e botës së civilizuar”. “Tani mund të shohim se kush e ndali përparimin tonë, dhe pse u shndërruam në një shoqëri pa solidaritet apo dhembshuri”- u shpreh zonja Kandiç.
Shënim: Marlise Simons raportoi nga Haga, Alan Cowell nga Londra dhe Barbara Surk nga Sarajeva.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce