Në një komunikim me Forcat e Armatosura në Afganistan përmes internetit, kryeministri Rama u ka shprehur mirënjohjen të gjithë atyre që pavarësisht kushteve shërbejnë me dinjitet dhe lartësojnë nderin dhe flamurin tonë kombëtar.
“Në çdo takim, komunikim me përfaqësues të Aleancës dëgjojmë me krenari fjalët më të mira dhe përshkrimin më dinjitoz për të gjithë praninë dhe veprimtarinë tuaj atje dhe jemi shumë mirënjohës dhe krenarë për të”-tha Rama, para komandove, ne prani edhe te ministres se Mbrojtjes Xhaçka, e cila ka shkuar mes tyre në një vizitë në Afganistan.
Komandantët dhe përfaqësuesit e FA atje kanë shprehur falënderimet për Ramën, por ky i fundit u është lutur të mos e bëjnë,
“Jam unë që duhet t’iu falënderoj, do të donim të bënim më shumë dhe më shumë do të bëjmë, se mundësitë falë reformave shkojnë duke u rritur, por fakti është që ajo çfarë ju bëni nuk ka të paguar për dinjitetin e vendit tonë dhe nderin e flamurit tonë, ju lutem mos më falënderoni, faleminderit për të gjithë ju, familjet dhe fëmijët që jetojnë të ndarë prej jush”- tha Rama.
Gjatë fjalës përshëndetëse një nga përfaqësuesit e FA theksoi: “Komandanti që ka ikur ishte i mirë, ai që ka ardhur edhe më i mirë”, duke uruar ish ministren Kodheli.
Pas tij ka replikuar Rama: ‘Një gabim bëre, jo komandanti por komandantja, sipas meje jeni brez me fat se kaloni nga komandantja te komandantja”- tha ai, duke këshilluar ministren Xhaçka t’u organizojë atje takimin festiv që ata meritojnë.