Të tjera detaje janë zbuluar nga sulmi me armë që iu bë banesës së prindërve të Elton Çiçës, një vit pas vrasjes së këtij të fundit.
Sulmi dyshohet se ka qenë një tentativë atentati ndaj familjarëve, megjithatë nuk përjashtohet as një grabitje e mundshme.
Personat e armatosur dhe të maskuar kanë hyrë në oborrin e vilës 3-katëshe në lagjen “Demokracia” rreth orës 03:00, por janë diktuar nga i moshuari. Në këtë moment, ata kanë qëlluar herë me armë dhe janë larguar me shpejtësi, si dhe kanë marrë me vete serverin e kamerave të sigurisë që monitorojnë vilën dhe rrugën që të çon te banesa e familjes Çiça, për të shmangur kështu identifikimin e tyre nga policia.
63-vjeçari Naim Çiça ka dhënë alarmin për dhunimin e pronës së tij, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pesë gëzhoja të një pistoletë TT.
Autorët mund të kenë lënë gjurmë dhe në shtyllën metalike në momentin që kanë nxjerrë jashtë funksioni kamerat e sigurisë. Këto të dhëna priten të analizohen në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës në kryeqytet për të zbuluar identitetin e autorëve.
Gjatë marrjes në pyetje të familjarëve të Elton Çiçës, vetëm vëllai i tij, Blerim Çiça, ka dhënë detaje për atë që kishte ndodhur. Nga ana tjetër, prindërit e moshuar nuk kanë dhënë shumë detaje duke u shprehur se janë të tronditur për atë që u kishte ndodhur duke mos qenë në gjendje të japin shpjegime.
Tre autorët, para se të merrnin serverin në banesë, nxorën jashtë funksionit kamerat vëzhguese, të cilat qëndrojnë jashtë rrethimit të shtëpisë në majë të një shtylle të ndriçimit publik.
Policia dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje dhe me vrasjen e Elton Çiçës, e ndodhur në maj të vitit të kaluar në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku u ekzekutua me dy plumba në kokë.